Uashington, 22 nëntor 2024 – Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se do ta nominojë Pam Bondin për t’u emëruar prokurore e Përgjithshme e vendit, pak orë pasi Matt Gaetz u tërhoq nga gara.
Bondi, e cila ka qenë mbështetëse e zëshme e Trumpit, ka përvojë të gjatë në sundimin e ligjit dhe në të kaluarën ka shërbyer si prokurore e Përgjithshme e Floridës.
Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit mbrojtës të Trumpit gjatë gjykimit të parë kundër tij, ku ai akuzohej se i kishte bërë trysni Ukrainës të kryente hetim për korrupsion kundër rivalit të tij, presidentit të tanishëm amerikan Joe Biden, duke e bllokuar ndihmën ushtarake. Trumpu u shpall i pafajshëm për këto akuza më vonë nga Senati.
Së voni, Bondi ndihmoi në udhëheqjen e krahut ligjor të Institutit për Politika “America First”, një organizatë personeli i të cilës ka punuar ngushtë me fushatën e Trumpit për të ndihmuar në ndryshimin e politikave për administratën e tij të ardhshme.
Bagazhi i Bondit dallon shumë me atë të Gaetzit, i cili ka shumë pak përvojë tradicionale për një prokuror të përgjithshëm, dhe i cili pritej të përballej me kundërshtim nga demokratët në Senat dhe nga disa republikanë po ashtu.
Trumpi njoftoi në rrjetet sociale se e zgjodhi Bondin, duke e lartësuar atë për përvojën e saj në prokurori dhe duke thënë se ajo është e ashpër ndaj krimeve si prokurorja e parë e përgjithshme grua e Floridës.
Trump, i cili i fitoi zgjedhjet më 5 nëntor pavarësisht se përballej me shumë hetime penale nga prokurorët shtetërorë dhe amerikanë, tha se Bondi do t’i japë fund politizimit të prokurorisë federale.
“Për kohë të gjatë, Departamenti i Drejtësisë i njëanshëm është armatosur kundër meje dhe republikanëve të tjerë. Por, jo më”, tha Trump.
Ndërkohë, Matt Gaetz njoftoi më herët se është tërhequr nga nominimi për postin e prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara.
Ai ishte nominuar nga Trumpi, por tha se këtë vendimin për t’u tërhequr e mori për shkak të një hetimi federal kundër tij për trafikim të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual.
(Radio Evropa e Lirë)