Presidenti-i-Zgjedhur, Donald Trump ka zgjedhur Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për bisedën e parë me një udhëheqës të rajonit.
Pas fitores së bujshme këtë javë, Trump ka folur në telefon me disa udhëheqës nëpër botë. Vuçiq mund ta konsiderojë një privilegj që është përfshirë në këtë grup.
Njoftimin e ka dhënë vetë Presidenti i Serbisë që e ka quajtur bisedën “të ngrohtë dhe me përmbajtje” si dhe tha se Trump di kaq shumë gjëra për Serbinë sa folëm edhe për sukset tona në sport.
Në fund të mandatit të tij të parë si President, Trump ndërmjetësoi marrëveshje dypalëshe me Kosovën dhe Serbinë, prej të cilave u sigurua njohja e Kosovës nga Izraeli. Pasi Trump humbi në zgjedhjet e nëntorit 2020, Kosova vazhdoi t’i përmbahet marrëveshjes së saj, kurse Vuçiqi jo.
Megjithatë, Vuçiq qe ndër të parët që nxitoi ta uronte për fitoren e kësaj jave. Ndoshta shpejtësia e urimit, ose ndikimi i ndokujt në rrethin e afërt të Presidentit-të-Zgjedhur Donald Trump ka përfshirë udhëheqësin serb në listën e bisedave të para.
Këto biseda kuptohet janë teknikisht jozyrtare. Sipas ligjit, SHBA nuk mund të ketë dy presidentë njëkohësisht. Trump do të drejtojë politikën e jashtme dhe të sigurisë amerikane vetëm pas betimit në 20 janar.
Disa opinionistë, si profesori Daniel Serwer, kanë paralajmëruar një trimërim të Serbisë ndaj fqinjëve të saj, nën presidentin e rizgjedhur amerikan. Ata mesiguri do ta shohin këtë bisedë të hershme me Vuçiqin si përforcuese të parashikimeve të tyre. (Ruben Avxhiu)