Disa mendime për gjendjen e garës
Nga Ruben Avxhiu
Nuk kishte si të ishte më i madh kontrasti mbrëmë në politikën amerikane.
Nga një anë Donald Trump kurorëzoi festën katërditore republikane me një fjalim prej dikujt që e ka fitoren e sigurtë, kurse nga ana tjetër, lajmi në media nga burime afër Shtëpisë së Bardhë se Presidenti Joe Biden do të tërhiqet këtë fundjavë nga gara.
Ka qenë një periudhë e vështirë për Demokratët dhe është një mister se çfarë mund të sjellë ndryshimi kaq vonë i kandidatit për President.
Donald Trump mbajti një fjalim shumë të mirë. Të paktën pjesën e përgatitur të tij. Sidomos kur foli për atentatin. Politikanët nuk para perceptohen si njerëz normalë dhe momente si këto janë të rëndësishme e vendimtare për ta.
Ai foli kundër polarizimit dhe tha se shoqëria amerikane duhet të shërohet
Mirëpo disa komentatorë politikë amerikanë thonë se kanë qenë një natë e dy fjalimeve. I pari, që paraqiti një Donald Trump njerëzor që bën thirrje për bashkim të kombit dhe premton një qeverisje normale dhe fjalimi tjetër, që erdhi më vonë, një rikthim në të folurën e tij tipike që thotë çfarë i vjen në kokë, me paranojave dhe fantazitë e përhershme. Atij vazhdimisht ia vjedhin votat. Mund t’i japë fund luftrave në botë me një telefonatë të vetme etj.
Nuk po i hyj mbresave të fjalimit se çdokush e ka përjetuar sipas pozitës së vet politike dhe emocionale. Po merrem vetëm me faktet e raportuara. Sipas anketimeve, Trump po e mbyll javën si fitues i sigurtë në zgjedhjet e 5 Nëntorit. Konventa ishte e organizuar mirë. Pjesëmarrësit republikanë ishin optimistë, entuziastë, tërheqës. Atentati i dështuar i ka dhënë vitalitet dhe vetëbesim partisë.
Më duket se Trump ka vërtetuar një nga ligjet më interesante të pashkruara të politikës: Nuk ka nevojë të kesh shumicën me vete, sa kohë që pakica që është me ty është ajo më e vendosura. Shumica e republikanëve kanë pasur dyshime pas vitit 2020, nëse ia vlente të kandidonin përsëri ish-Presidentin Donald Trump. Më tepër akoma, në 2016, shumica e republikanëve mendonin se do të ishte çmenduri të shkoje në nëntor me një kandidat si ai. Vetë, J.D. Vance që sot shihet si besnik e trashëgimtar i tij e ka krahasuar me Hitlerin.
Por ajo që u pa përgjatë zgjedhjeve brendapartiake, ku i shpartalloi me lehtësi rivalë si Guvernatori DeSantis dhe Ambasadorja Haley, u kurorëzua në Konventën e kësaj jave: mbizotërimi total i ish-Presidentit Donald Trump mbi Partinë Republikane.
Dikur kam shkruar që adhurimi i udhëheqësve politikë ka qenë më shumë karakteristikë e të majtës sepse e djathta për shkak të ndikimit të fesë ka pasur parimin që adhurimin e meriton vetëm Zoti. Njerëzit janë nga natyra mëkatarë dhe me të meta. Kjo e ka bërë më të lehtë që evangjelistët amerikanë ta pranojnë një kandidat si Donald Trump, me tri martesa e një jete prej libertini e mburraveci të pashërueshëm. Por, në fund, nuk ka dyshim që ka një lloj adhurimi për të, të cilin Demokratëve u pëlqen ta përqeshin si një lloj kulti fanatikësh.
Trump e mirëpret adhurimin. “Zoti ishte në anën time”, tha ai duke kujtuar momentin e atentatit kur shpëtoi vetëm për një qime. Mbase edhe njerëz të tjerë thonë fjalë të tilla, por vështirë të gjesh një njeri tjetër, madje edhe mes fetarëve, që të nënshkruajnë kopje të Biblës, për adhuruesit e tyre.
Disa vite më parë përqafoi një flamur amerikan të vendosur në skenë. Mbrëmë puthi kaskën e zjarrfikësit që humbi jetën në atentatin që u bë kundër tij, në Pennsylvania. Për disa këto veprime mund të jenë teatrale e qesharake, por ato ndikojnë në psikologjinë e njerëzve.
Ndoshta fjalimi i tij duhej të ishte më i shkurtër e konçiz, mbase duhej t’i drejtohej më shumë pjesës së pavendosur të amerikanëve, mbase duhej të shmangte batutat e panevojshme për mirëkuptimin e tij me diktatorin Kim të Koresë së Veriut etj. Mirëpo, ky është Donald Trump. Kurse ata që vënë në dukje gabimet strategjike në fjalim, janë edhe ata që kanë parashikuar shumë herë humbjen e sigurtë të tij.
Mirë apo keq, Republikanët e mbyllën procesin e tyre me sukses. Të paktën ata e dinë se për kë do të votojnë në nëntor. Demokratët, ata që thonë që po shpëtojnë demokracinë, që janë njerëzit e arsyes, që thonë të vërtetën dhe që kujdesen vërtet për popullin janë bërë lëmsh. Në pak ditë, duhet të bëjnë atë që refuzuan ta bënin gjatë kalendarit të primareve, të caktojnë disa kandidatë dhe të zgjedhin dikë në mënyrë demokratike, të aftë e përfaqësues, jo vetëm të tyrin por edhe të shumicës së kombit. Këtë duhet ta bëjnë, pa krijuar kaos e përçarje brenda partisë së tyre, por edhe pa u dukur sikur po e caktojnë kandidatin në mënyrë arbitrare si dikur në dhomat e mbyllura me tym.
Nuk është vetëm punë figurash. Me populistë si Trump dhe Vance, Republikanët po hyjnë me sukses në hapësira që dikur u përkisnin vetëm Demokratëve. Ata po flasin për ndërhyrje të shtetit për të ndihmuar ata që kanë mbetur pas ekonomikisht. Atë pjesë të klasës punëtore të cilën Demokratët e kanë braktisur se e shohin si raciste, homofobiste, e të prapambetur. Demokratët e dikurshëm ia vinin fajin për këto tipare varfërisë dhe kapitalizmit. Sot, kur korporatat janë tërësisht në anën e tyre, interesi ka ndryshuar. Demokratët duhet të rigjejnë mënyrën për të komunikuar e për t’u rilidhur me këtë bazë të rëndësishme tradicionale të tyre.
Në një farë mënyrë, një garë e shkurtër, një mini-zgjedhje, përpara ose gjatë Konventës së tyre, mund t’i rikthejë kampit demokrat entuziasmin e humbur dhe kuriozitetin e opinionit publik. Amerikanët e duan një garë të mirë, madje edhe pak të ashpër, sa kohë që në fund del një fitues i qartë, simpatik dhe argëtues. Dikush që thotë edhe gjëra që i bëjnë këshilltarët të vënë duart në kokë, e komentatorët politikë të nesërmen të gjejnë gabimet e pafalshme. Si bën Trump, si bënte Biden kur ishte ende mjaftueshëm i gjallë. Më pak se katër muaj nga dita e zgjedhjeve, Trump udhëheq në mënyrë të padiskutueshme. Por vera s’ka mbaruar dhe vjeshta vjen gjithmonë me surpriza.