Uashington, 8 dhjetor 2024 – Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Trump i quajti “kaos” zhvillimet në Siri, ku kryengritësit e përmbysën presidentin Bashar al-Assad dhe e morën kontrollin e shtetit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të përfshihen në konfliktin e këtij vendi, ndonëse atje gjendet ende një kontigjent i vogël i forcave amerikane.
“Sidoqoftë, Siria është një rrëmujë, por nuk është mikja jonë, prandaj Shtetet e Bashkuara nuk duhet të kenë asgjë me këtë. Kjo nuk është lufta jonë. Le të luajnë vetë. Mos u përfshini”, ka shkruar Trump në një postim në platformën Truth Social.
Të shtunën, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se SHBA-ja “nuk ka të bëjë fare me këtë ofensivë, e cila udhëhiqet nga Hay’at Tahir al-Sham (HTS), një organizatë e cilësuar terroriste”. Ai tha se SHBA-ja do të punojë së bashku me aleatët dhe me partnerët e saj për të ndihmuar uljen e përshkallëzimit dhe për të mbrojtur personelin dhe pozicionet ushtarake të SHBA-së.
(r.m.)