Uashington, 24 shtator 2024 – Ish Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëshiron që demokratët të fitojnë zgjedhjet e 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Zoti Trump po kandidon për President kundër rivales demokrate Nënpresidentes Kamala Harris.
Deklarata e kandidatit republikan bie në kundërshtim me deklaratat e disa prej aleatëve të tij, të cilët kanë argumentuar se Ukraina do ta mirëpriste rikthimin në Shtëpinë e Bardhë të zotit Trump. Sipas tyre, vetëm ish Presidenti ka afësinë të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës së Moskës në Ukrainë.
“Unë mendoj se Zelensky është ndër njerëzit më të aftë në sigurimin e mbështetjes financiare. Sa herë që vjen, ai kthehet me 60 miliardë dollarë”, tha ish Presidenti Trump gjatë një tubimi në Pensilvani. “Ai ka dëshirë të madhe që ata (demokratët) t’i fitojnë këto zgjedhje, por unë do të veprojë ndryshe , unë do të bëj paqe”.
Ekipi i fushatës së zonjës Harris, në një deklaratë të dërguar me email, akuzoi zotin Trump se nuk pranon të deklarohet nëse dëshiron që Ukraina të fitojë luftën.
“Nënpresidentja Harris e kupton se nëse Amerika largohet nga Ukraina, Putini do të ulet në Kiev me sytë drejtuar nga pjesa tjetër e Evropës dhe aleatët tanë të NATO-s”, tha Morgan Finkelstein, zëdhënës për sigurinë kombëtare në ekipin e fushatës së kandidates demokrate Kamala Harris.
Zyra e Presidentit Zelensky në Kiev nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Ish Presidenti Trump nuk dha asnjë detaj për planin e tij të paqes, përveç përsëritjes se ai do të telefononte Presidentin rus Putin dhe homologun ukrainas Zelensky dhe do t’i nxiste ata të arrinin një marrëveshje, nëse ai do t’i fitonte zgjedhjet e 5 nëntorit.
Presidenti Zelensky ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Të hënën ai tha se një veprim vendimtar i Uashingtonit tani mund të përshpejtojë përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, vitin e ardhshëm.
Ish Presidenti Trump tha javën e kaluar se ai “ndoshta” do të takohej me zotin Zelensky ndërsa ky i fundit po qëndron në Amerikë. Megjithatë, asnjë takim nuk është caktuar, sipas njerëzve të afërt me ish-presidentin.
Gjatë fundjavës, Presidenti Zelensky e vizitoi një fabrikë armësh në Pensilvani së bashku me guvernatorin demokrat Josh Shapiro, një aleat i zonjës Harris. Ky veprim zemëroi disa bashkëpunëtorë të ish Presidentit Trump, duke qenë se vizita ndodhi në një shtet të pavendosur, që mund të jetë përcaktues për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Amerikanët me prejardhje nga Evropa Lindore, duke përfshirë amerikanët me origjinë nga Ukraina dhe Polonia janë bërë një bllok i rëndësishëm votuesish për dy kandidatët presidencialë, veçanërisht në Pensilvani. Ky shtet ka një popullsi të konsiderueshme polako-amerikane dhe ukrainase-amerikane.
Uashingtoni dhe aleatët e tij kanë ofruar ndihma prej dhjetëra miliarda dollarësh për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus në shkurt të vitit 2022, duke vendosur gjithashtu një mori sanksionesh kundër Moskës.
Ish Presidenti Trump e ka konsideruar vazhdimisht ndihmën amerikane për Ukrainën si humbje parash dhe ka refuzuar të thotë nëse dëshiron që Ukraina të fitojë luftën. Ndërsa ish Presidenti Trump dhe Presidenti Zelenskiy biseduan në telefon në muajin korrik, ata nuk kanë biseduar personalisht që kur përfundoi mandati i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021.
Presidenti Zelensky ka thënë më parë se nuk mund të parashikojë se çfarë do të bënte zoti Trump nëse fitonte në nëntor, por shpresonte se republikani do të vazhdonte mbështetjen ushtarake amerikane për Ukrainën.
Në një intervistë në korrik për rrjetin BBC, zoti Zelensky tha se të punosh me zotin Trump do të ishte “punë e vështirë, por ne jemi punëtorë të zellshëm”.
Agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve, largimin e miliona të tjerëve nga shtëpitë e tyre dhe shkatërrimin e shumë qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës.
Presidenti rus Vladimir Putin thotë se bisedimet e paqes mund të fillojnë vetëm nëse Kievi ia lë Rusisë një pjesë të Ukrainës lindore dhe jugore dhe heq dorë nga synimi për anëtarësim në NATO. Presidenti Zelensky ka bërë thirrje vazhdimisht për tërheqjen e të gjitha trupave ruse dhe rivendosjen e kufijve post-sovjetikë të Ukrainës.
(Zëri i Amerikës)