Kiev, 11 mars 2022 – Rusia e zgjeroi ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë të premten, duke goditur për herë të parë zonat në afërsi të aeroporteve në perëndim të vendit.
Sulmet e reja ajrore ishin ndoshta një mesazh nga Moska se asnjë zonë nuk është e sigurt. Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas thonë se ndryshe nga sa prisnin, forcat ruse janë përballur me rezistencë, probleme me furnizimin e moral të rënë. Deri më tani, ata kanë bërë përparime më të mëdha në qytetet në jug dhe lindje të Ukrainës, ndërsa kanë ngecur në veri dhe në zonat rreth Kievit.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes Igor Konashenkov tha se Rusia ka përdorur armë me precizion të lartë për të shkatërruar aeroportet ushtarake në Lutsk dhe Ivano-Frankivsk. Po ai nuk dha detaje të mëtejshme.
Ndërkohë disa foto të reja satelitore, duket se tregojnë se autokolona ushtarake masive ruse, e cila ndodhej pak kilometra larg Kievit, është shpërndarë dhe ridislokuar në qytete dhe pyje aty pranë.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se pas një përparimi të kufizuar, për shkak të probleve logjistike dhe rezistencës ukrainase, Moska po përpiqej të riorganizonte trupat e saj, duke i përgatitur për operacione kundër Kievit.
Moska dha sot sinjale të reja se po planifikon të sjellë në Ukrainë edhe luftëtarë nga Siria. Kremlini, duke iu referuar ministrit rus të mbrojtjes, tha se ishte në dijeni se mbi 16,000 persona nga vendet e Lindjes së Mesme kanë shprehur vullnet t’u bashkohen forcave ruse në luftën kundër Ukrainës. Sipas Moskës, shumë prej tyre e kishin ndihmuar Rusinë në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik.
(Zëri i Amerikës)