Tulipani Shqiptar shpallet monument natyre, zona ku rritet shpallet zonë e mbrojtur

Tiranë, 13 mars 2023 – Qeveria e Shqipërisë e shpalli monument natyre Tulipanin Shqiptar, tulipanit të veçantë që rritet vetëm në zonën e Kukësit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se kjo lule është në listën e specieve të rrezikuara, andaj sipërfaqja prej rreth 35 hektarësh në njësinë administrative të Surrojit është shpallur zonë e mbrojtur.

“Në radhë të parë një specie e veçantë që bën pjesë në speciet e rrezikuara, Tulipani Shqiptar, i zbuluar si i tillë në vitin 2003. Shpallet në një lëndinë të caktuar ku rritet në bashkinë e Kukësit, monument natyre, që është shkalla më e lartë e mbrojtjes, rreth 35 ha në njësinë administrative të Surrojit në Kukës. Një zonë që merr këtë topologji mbrojtje. Kjo specia është në listën e kuqe ndërkombëtare që janë speciet më të rrezikuara, rritet vetëm në shqip dhe në atë zonë të Shqipërisë”, ka thënë Kumbaro.

Tulipani Shqiptar është zbuluar në vitin 2003, në vendin e quajtur Polla e Zezë, në zonën e Kolsh-Surroit, nga biologu Besnik Hallaçi.

Deri atëherë në botë njiheshin njiheshin 113 lloje tulipanësh, ndërsa Tulipani Shqiptar, me emrin shkencor “Tulipa Albanica”, renditet i 114-ti.

Kjo bimë endemike e rrallë rritet në malet e Gjalicës, në malet e Hekurave në Tropojë, në bregun e Liqenit të Fierzës deri në Pashtrik të Hasit, si edhe në Qafën e Luzhës në rrethin e Tropojës.

Tukipani Shqiptar është certifikuar ndërkombëtarisht dhe e ka marrë statusin e species në mbrojtje të veçantë në janar të vitit 2021.

Vendimi i qeverisë për shpalljen e tulipanit shqiptar “monument natyror”:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10,të ligjit nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shpalljen e habitatit të tulipanit shqiptar(Tulipaalbanica)“Monument natyror”,kategoria III e zonave të mbrojtura, sipas hartës në shtojcën 1, dhe kufirit të paraqitursipas tabelës së koordinatave në shtojcën 2, që i bashkëlidhen këtij vendimidhe janë pjesë përbërëse të tij.
  2. Monumenti i natyrës ka një sipërfaqe 35.5 ha dhe zonë buferike 200 m rreth kufirit të zonës të mbrojtur, në të cilin zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes e njëjtë me rezervën strikte.
  3. Zona e mbrojtur përfshin habitatin enjë lloji të rrallë e të kërcënuar me rëndësi e vlerë të veçantë shkencore dhe estetike, sipas aneksit nr.1, i cili përmban skedën e monumentit të natyrës.
  4. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe organet përkatëse të vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

(r.m.)