Tek rruga Him Kolli është një bar kafé që ka diell dhe gjatë dimrit më pëlqente të pija kafenë aty sepse edhe shullëhesha në diell. Ku ka si dielli në dimër. Por edhe tani në këtë pranverë gricanjoze prap shpatullat e mia ja dinë vlerën ngrohtësisë së rrezeve të diellit. Shpesh e pres rrugën nëpërmjet Islam Allës sepse Hajdari, Himi dhe Islami të tre këta bashkë me Shyqyriun që janë dëshmorë i kanë rrugët afër e komunikojnë me njëri-tjetrin si në kohë të luftës, avlli në avlli, se edhe shtëpitë përreth me pak ndryshime janë po ato. Mirëpo rruga Islam Alla ishte e bllokuar se atje vlonte puna bashkiake. Po shtrohej rruga me asfalt. Me një fjalë ziftosej. Ndjeva kënaqësi tek e shihja. Më së fundi po marrim frymë lirish dhe këmbët tona se tërë dimrin ishin pllaçuritur në baltra. Kafeneja ku ngroh shpatullat e mia në diell i bashkon të dy këto rrugë kështu mu desh të kaloj nga rruga e Himit. Më erdhi mirë kur pashë se aty në mes te dyqaneve ishte portreti i mikes sime të Facebookut, kandidates për deputete Ledi Shamku. Më afër shtëpisë sime se këtë deputete nuk kam parë asnjë, thashë me vete. Mirë është të kesh komshi e njohje me ndonjë deputet. Krijohen respekte, se kush e di ndonjëherë të hyjnë në punë këto njohje. Se njerëz jemi dhe halle kemi. Përtej kësaj mu duk se portreti i kandidates për deputete Ledi Shamku, një zonjë inteligjente e me kulturë sikur e zbukuronte krejt rrugicën madje i jepte hijeshi edhe rrugës së Islamit dhe për më tej të Hajdarit e me rrezatim deri te rruga e Çamëve që e ka sfiduar Shyqyri Bërxollin duke ja marrë emrin e rrugës botërisht. Aty ku bëhet tregtia është edhe shpirti i konsumatorëve sepse aty përplasemi përditë ne që na ka rënë hisja e popullit të thjeshtë që me vështirësi e mban shpirtin. Po mirë thashë me vete, le ti ndrrojnë se në të vërtetë edhe këto emra dëshmorësh kahmos na kujtojnë më shumë luftën se paqën, më shumë urrejtjen se dashurinë. Po mendoja gjithashtu me vehte se si nuk u ka shkuar mëndja bashkiakëve që ndonjë rruge tu vënë emra të tjerë pa tym e barut, ta zëmë, rruga e të Dashuruarve, rruga Shën Valentini, rruga Frosina e bukur, rruga Ofeli, Motra Tone apo pse jo Vajzat e bukura të Tiranës.
Meqë jemi në pranverë sikur ma donte shpirti pak lirizëm në mjedisin ku jetojmë kështu që edhe fytyrën shprehese, inteligjente të kandidates për deputete Ledi Shamku e prita me kënaqësi në sensin e të bukurës. Sepse më pëlqen gjithçka e bukur, pa përjashtuar të mirën sigurisht. Se jo gjithmonë e bukura është më e mira, megjithëse të bukurën gjithkush e pëlqen. Mbaj mend te kem shkruar dikur një përsiatje për Bukurinë Shkodranë. Mirëpo nga viti 2004 kur e kam shkruar e deri më sot kanë rrjedhur shumë ujra, madje aq shumë sa tre a katër herë ujrat përmbytën Shkodrën duke e kthyer në një grotesk paradoksal të Venecias, kështu që ajo çfarë unë atëherë e konsideroja bukuri shumëkush po ma përgojon e stigmatizon, siç ka bërë gazeta “Shekulli” vitin e kaluar duke krijuar humor me frymëzimet e mija eterore përtej Atllantikut.
Ndoshta se gjërat nga larg gjithmonë të duken të bukura. Mirëpo tani nuk jam larg por afër, madje shumë afër e si të thuash më ka ardhur bukuria tek pragu i derës. Mendimi është si uji që lëviz. Madje më shumë se vet njeriu, sepse lëvizja është jetë, është zhvillim besa edhe bukuri. E nuk ka nevojë të shkoj shumë larg për ta parë bukurinë sepse ja tek e kam, tek kaloj nëpër asfaltin politik të rrugës. Çfarë nuk bëka xhelozia politike. Ta shtron asfaltin për njëzet e katër orë. Unë tani nuk do të bëj sikur nuk e shoh këtë bukuri tiranase me asfalt në rrugë e me postera nëpër mure, anipse një herë në katër vjet. Ndaj ndërsa më lumturoheshin këmbët nëpër rrugën e saposhtruar, ndjeva kënaqesi kur pash portretin e deputetes në faqen e murin përkundruall.
E pershendeta. Me buzeqeshi (a mu bë se)…e tek e shihja, pija kafenë ekspres, dielli lashtësisht bënte punën e tij fisnike në shpatullat e mia në këtë fundpranverë të bukur tiranase – nëse në këtë botë, kënaqësitë e mija të vogla konsiderohen si të bukura dhe kjo që jetojmë quhet pranverë. Tung Diell!
10 qershor 2013