Uashington, 20 shtator 2023 – Ligjvënësi amerikan, Mike Turner shpreh nevojën për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për zbutjen e tensioneve Kosovë-Serbi, për të shmangur destabilizimin e një rajoni tjetër në Evropë ndërsa vazhdon agresioni rus në Ukrainë. Ai i bëri këto komente në një intervistë për Zërin e Amerikës, pas një vizite në Ballkanin Perëndimor. Në intervistën për kolegen e shërbimit serb, Milena Durdiç, Kryetari i Komisionit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve shprehu shqetësimin për tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ligjvënësi Mike Turner thotë se administrata e Presidentit Biden duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi çështjeve të pazgjidhura në Ballkan.
“Duam të sigurohemi që ndërsa vazhdon agresioni dhe brutaliteti i Rusisë në Ukranë, të mos kemi një rajon tjetër në Evropë që destabilizohet apo hyn në një konflikt të pazgjidhshëm”.
Ligjvënësi Turner thotë se në takimin me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ai e kishte bërë të qartë nevojën për themelimin e Asociacionit si angazhim i dalë nga dialogu evropian dhe që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
“Ky është një angazhim që është marrë dhe kryeministri duhet ta zbatojë”, thotë ligjvënësi Turner.
Ndërsa zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për pasoja si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin, nëse ato nuk i zbatojnë angazhimet e marra, ligjvënësi republikan Mike Turner thotë se duhen përpjekje diplomatike aktive dhe mbështetje për gjetjen e zgjidhjes.
“Mendoj se ky është momenti që administrata e Presidentit Biden të shtojë përpjekjet e Departamentit të Shtetit, edhe pse ambasadat tona po punojnë gjerësisht për këtë çështje. Mendoj se mund të bëhet më shumë në rrugë diplomatike”.
Kryetar i Komisionit të Përhershëm për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, thotë se Perëndimi duhet ta bëjë të qartë për udhëheqësit e rajonit të Ballkanit se besueshmëria e tyre është në pikëpyetje nëse nuk i zbatojnë angazhimet për të cilat janë pajtuar.
“Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë se kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, por zbatimi i angazhimeve të dakorduara është një çështje shumëpalëshe mes BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe Serbisë”, thotë ligjvënësi Turner.
Duke folur për Serbinë, ndërsa Beogradi ende refuzon zbatimin e sanskioneve evropiane kundër Rusisë, zoti Turner thotë se në takimin me Presidentin Alexandar Vuçiç e kishte bërë të qartë qëndrimin e Perëndimit.
“Mendoj se Presidenti Vuçiç po ecën në fije të perit në këtë fushë, ndërsa përpiqet të ekuilibrohet në pozicionin ku ndodhet aktualisht”, thotë zoti Turner.
Ligjvënësi amerikan vuri në dukje investimet e shumta evropiane në Serbi dhe aspiratat e Beogradit drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se zotit Vuçiç përfundimisht i duhet të bëjë një zgjedhje.
“Unë mendoj se Kongresi është i përqendruar tek Ballkani, sepse kuptohet se nëse nuk zgjidhen disa nga çështjet, atëherë mund të kemi dy konflikte në Evropë. Dhe nëse po, do të jenë konflikte që lindin nga humbja e alternativave diplomatike dhe puna për gjetjen e zgjidhjeve diplomatike, dhe jo se konflikti është i pashmangshëm”, thotë zoti Turner.
(Zëri i Amerikës)