Nga Faton Arifi
RIVERDALE NJ : Titulli kampion nga Struga kalon në Krajë, FC Kraja me plotë meritë këtë edicion fitoi kupën dhe u shpall kampion i turneut “Vllaznimi” duke mposhtur në finale ekipin FC Future pas një loje tepër atraktive nga të dy skuadrat!
FC Kraja është kampion i edicionit të 14-të të turneut Vllaznimi që mbahet në kujdesin e QKSHA-Struga në New Jersey.
Interesimi edhe këtë vit ishte tejet i madh. 24 skuadra morën pjesë me nga 10 futbollistë në turneun futbollistik më të madh në mbarë diasporën shqiptare.
Ndeshje shumë konkuruese dhe lojtarë cilsorë dhuruan spektakël para qindra spektatorëve që me orë të tëra qëndruan në sallën sportive në Turf City deri në ndeshjen finale ku kësaj radhe u përballën dy skuadra nga Malësia e madhe. Fc Future dhe FC Kraja. Ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rrezultat të barabartë që më pas FC Kraja përmes gjuajtjeve nga penaltitë të shënojë fitore dhe të ngre lartë kupën e kampionit dhe çekun në vlerë prej 1500 dollarë.
Këtij organizimi sportiv spektakolar nuk mund ti mungonte edhe aspekti artistik. Shfaqja në fushë e vashave të Shoqërisë artistike të QKSHA-së ishte impresionuese për publikun i cili e duartrokiti masivisht paraqitjen që i dha ngjyra këtij evenimenti unikal.
Komuniteti i QKSHA-Struga, drejtuesit dhe vullnetarë të kësaj qendre në vazhdueshmëri kanë dëshmuar unitet dhe aftësi për organizime të tilla spektakolare duke bërë bashkë skuadra dhe futbollistë nga gjitha trojet etnike shqiptare që për çdo vit më 25 Dhjetor ditën e Krishtlindjeve tubohen në New Jersey për këtë organizim sportiv madhështor.
Futbolliati i talentuar, Semiri nga ekipi nënkampion Fc Futurë u zgjodh golashënuesi më i mirë me gjithësej 10 gola të shënuar ndërsa trofeun e portierit më të mirë e fitoi portieriri i ekipit kampion Jetmir Kovaçi.
Vendi i dytë përveç trofeut mori edhe një çek në kundërvlerë prej 750 dollarë.
Fatmir Mimini një aktivist i përvitshëm i këtij turneu këtë vit ishte kryetar i turneut, ai falenderoi të gjithë vullnetarët që kontribuan në këtë organizim si dhe uroi ekipin kampion për fitoren.
Përfaqësuesi i FC Kraja njëkohësisht edhe drejtues i Shoqatës Kraja shprehu mirënjohjne dhe konsideratën e lartë për organizatorët, ai theksoi se ky titull është i mirëseaedhur dhe i rëndësishëm për futbollistët dhe pêr gjithë komunitetin që ai përfaqëson.
Pa asnjë dyshim kjo ishte një ditë tepër argëtuese për të gjithë pjesmarrësit, ndërsa një falenderim dhe mirënjohje shkon për mbështetësit e këtij turneu, themeluesit, QKSHA-Struga, sponsorët dhe gjithë vullnetarët që nga mëngjesi deri në darkë u kujdesen për mbarëvajtjen e tij.
Futbollistët, stafi dhe tifozët e FC Kraja ditën më së miri ta festojnë këtë sukses që filloi në sallën sportive në Turf City dhe me siguri do të vazhdojë edhe me organizime të tjera me antarët dhe komunitetin e tyre.
Ndërkohë, Shoqata Kraja, ngjyrat e së cilës përfaqëson kjo skuadër amatore, në statusin e saj në rrjetin social Fb, dërgoi urimet me te perzemerta skuadrës së futbollit të Krajës që u shpallën kampion në “Turnirin e Futbollit Vllaznimi”
“Ju luftuat si kampionë dhe fituat turneun duke treguar klas dhe shpirt të mahnitshëm luftarak!”
Urime të gjithë lojtarëve e trajnerve dhe mbi të gjitha tifozëve tanë të mrekullueshëm që çdo herë gjenden pranë ekipit tonë duke i dhën mbështetje të plotë! Ju falemnderit dhe gjithmonë krenar me ju!, shkruan Shoqata Kraja, me bazë në Staten Island – NY.