“Turp!” Jahtet e Abramoviqit i mbron Marina Mbretërore

Londër, 18 mars 2022 – Roman Abramoviq e ka ngritur flamurin e Bermudes në dy prej super-jahteve luksoze në pronësi të tij, duke i dhënë kështu edhe mbrojtje “britanike”, ndonëse është sanksionuar edhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Oligarku rus, i cili është larguar nga Anglia pasi u fut në listën e personave të sanksionuar nga ky shtet, si kundërpërgjigje për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, i ka regjistruar të dy jahtet e tij në Bermude, në territorin britanik që ndodhet në Karaibe.

Të hënën, mediat britanike e kanë fotografuar jahtin “Solaris” në Tivar, ndërsa sot raportohet se jahti po lundron në Detin Jon, pranë ishullit grek të Kefalonisë.

Flamuri i Bermudes, një fushë e kuqe me flamurin e Mbretërisë së Bashkuar në cep, u siguron jahteve të Abramoviqit jo vetëm mbrojtje nga ushtria britanike, në rast nevoje, por edhe mbështetje nga konsullatat britanike në gjithë botën.

Të shtunën e kaluar, jahti ndodhej në Barcelonë, por u largua prej andej pasi biznesmeni duket se e parashikoi se edhe atje do të përfundonte në listën e të sanksionuarve.

“Flamuri është një prej emblemave më të admiruara në det të hapur dhe çdo mjet lundrues e gëzon mbështetjen e Marinës Mbretërore”, thuhet në faqen zyrtare të qeverisë britanike.

Sipas rregullave, Abramoviqi e gëzon edhe të drejtën për të kërkuar ndihmën e autoriteteve britanike, në rast se jahtet e tij kërcënohen nga sanksionet e një shteti tjetër.

Ian Hodge, President i Shoqatës së Marinës Tregtare Britanike, e quajti “turp” mbajtjen e flamurit të Bermudes në jahtet e Abramoviqit. Ai u bëri thirrje autoriteteve të Bermudes që ta çregjistrojnë jahtin, në mënyrë që të mos ketë mundësi ta mbajë atë flamur.

(a2news.com)