Turqia dërgon në Mesdhe anije për kërkimin e rezervave të gazit

Ankara,10 gusht 2022 – Pas dy vjetësh ndërprerjeje Turqia dërgoi në lindje të Mesdheut një anije shpimi për gaz. Presidenti Recep Tayip Erdogan tha se kjo është kaq e rëndësishme sa që ai udhëtoi enkas në Mersin, në jug të Turqisë, për të qenë i pranishëm.

“Anija ‘Abdylhamid Han’ do të kërkojë për gaz derisa të gjejë”, tha Erdogan, gjatë inagurimit të anijes së re të shpimit në portin e Merinit.

“Ne do të marrim atë që na takon”, theksoi si.

Erdogan tha se anija “Abdylhamid Han” do të niset fillimisht për në rajonin Iskenderun. Zona e parashikuar për shpime ndodhet në veri të Qipros, jo larg territoreve për të cilat Turqia grindet me Greqinë dhe me Qipron.

“Parimisht i hedh poshtë rezervat greke dhe qipriote kundër misioneve turke të shpimit, tha Erdogan.

Sipas tij, Turqia ka të drejtë të kërkojë për gaz në territoret e veta.

“Ne nuk kemi nevojë të marrim leje nga ndokush”, theksoi ai.

Erdoigan e cilësoi anijen “Abdylhamid Han” si “simbol të vizionit të ri të Turqisë në sektorin e energjetikës”.

Sipas mediave turke anija “Abdylhamid Han”, e emërtuar sipas njërit prej sulltanëve osmanë, fillimisht do të kërkojë për gaz deri më 7 shtator.

Konflikti për rezervat e gazit rëndon prej vitesh marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë. Më 2020 të dyja vendet për pak sa nuk u përplasën ushtarakisht, kur anija turke e shpimeve “Oruc Reis”, nën eskortimin e anijeve luftarake, ndërmori udhëtimet në kërkim të burimeve të gazit në jug të ishullit Rhodos. Marina greke u mobilizua. Vetëm pas largimit të “Oruc Reis” nga territoret e diskutueshme gjendja u qetësua.

Greqia akuzon Turqinë se po kryen hulumtime në mënyrë tërësisht ilegale. Qeveria në Ankara i hedh poshtë akuzat dhe e mbron pozicionin se kërkimi i gazit është konform ligjit, pasi ujërat ku operohet shtrihen në harkun tokësor turk. Si Greqia ashtu edhe Qiproja dhe vendet anëtare të BE-së, edhe Turqia ka pretendime për rezervat e gazit ,të zbuluara në tabanin e detit në lindje të Mesdheut.

Pavarësia energjetike po vendoset gjithnjë e më shumë në fokus edhe në Ankara

Në plan të parë Turqia synon zbulimin dhe shfrytëzimin e rezervave të gazit, shkruan në një artikull Christian Schaller, studiues pranë fondacionit gjerman „Shkenca dhe Politika”. “Por në radhë të parë Turqia synon edhe dominancën maritime në rajon.” Gjestet që tani sërish po bëhen agresive kundrejt Greqisë, sipas disa vëzhguesve pjesërisht kanë të bëjnë edhe me zgjedhjet që do të zhvillohen në Turqi duke ua shpjeguar ato klientelës së zgjedhësve si gjeste nacionaliste.

Lufta sulmuese ruse në Ukrainë e ka nxjerrë në fokus aspketin e furnizimit me energji. Turqia vitin e kaluar një të katërtën e naftës dhe pothuajse gjysmën e importeve të gazit i ka marrë nga Rusia dhe tani po përpiqet ta minimizojë këtë varësi.

(DW)