Turqia dislokon në Kosovë afër 350 trupa shtesë

Prishtinë, 8 dhjetor 2024 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se ushtria e Turqisë ka dislokuar afër 350 trupa në këtë mision.

“Ata do të zëvendësojnë njësitë italiane” në Forcat Operacionale Rezervë, tha KFOR-i.

Të 350 ushtarët, që janë nga brigada e 65-të e këmbësorisë, do të kryejnë një sërë aktivitetesh “së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të përfshihen në përgjigjen ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë”.

KFOR-i përsëriti se është i aftë të parandalojë çdo rrezik të përshkallëzimit eventual dhe “të përballet me çdo skenar të sigurisë” sipas mandatit që i buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.

(Radio Evropa e Lirë)