Vilnius, 10 korrik 2023 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është pajtuar që të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Kështu tha më 10 korrik shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg, pas takimit në Vilnius të Lituanisë me Erdoganin dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.
“Presidenti Erdogan është pajtuar që të çojë në Asamblenë Kombëtare protokollin e pranimit të Suedisë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe do të punojë ngushtë me Asamblenë që protokolli të ratifikohet”, tha ai.
“Kjo është ditë historike”, shtoi Stoltenberg gjatë një adresimi për media.
Në një deklaratë të ndarë u njoftua se Suedia dhe Turqia kanë arritur marrëveshje.
Turqia ka bllokuar aplikimin e Suedisë në aleancë, duke e akuzuar Stokholmin se strehon aktivistët kurdë që Ankaraja i konsideron terroristë.
Më herët gjatë të hënës, Erdogan kushtëzoi pranimin e Suedisë në këmbim të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.
Por, në deklaratën e lëshuar pas takimit trepalësh u tha se Turqia dhe Suedia do të punojnë ngushtë “në koordinimin e kundërterrorizmit” dhe do të fuqizojnë raportet dypalëshe tregtare.
“Suedia do të mbështesë në mënyrë aktive përpjekjet për të ringjallur procesin e pranimit të Turqisë në BE, përfshirë edhe modernizimin e bashkimit doganor BE-Turqi dhe liberalizimin e vizave”, u tha në deklaratë.
Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se shteti i tij ka bërë një hap të madh drejt anëtarësimit në NATO pas arritjes së marrëveshjes me Turqinë.
“Është ndjenjë shumë e mirë. Ky ka qenë qëllimi im për një kohë të gjatë dhe besoj se kishim një përgjigje të mirë sot dhe ndërmorëm një hap të madh drejt anëtarësimit”, tha Kristersson pas takimit me liderin turk dhe shefin e aleancës.
Që një shtet të bëhet anëtar i NATO-s, duhet që të 32 shtetet të ratifikojnë në parlamentet e tyre protokollet e pranimit. Në rastin e Suedisë, përveç Turqisë, edhe Hungaria nuk e ka ratifikuar protokollin që Stokholmi të bëhet pjesë e aleancës.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022.
Finlanda u bë anëtare e aleancës në prill të vitit 2023.
(REL)