Shkup, 15 korrik 2021 – “Maqedonia e Veriut do të veprojë në përputhje të plotë me ligjet vendore si dhe marrëveshjet e standardet ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë duke komentuar kërkesën e ambasadorit të Turqisë në Shkup, Hasan Mehmet Sekizqok, për ekstradimin e 86 shtetasve të Turqisë, që ndodhen në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Këta persona, Ankaraja i akuzon për lidhje me Lëvizjen Hizmet të klerikut Fethullah Gylen, të cilës Turqia i referohet me akronimin FETO dhe e ka përfshirë në listën e organizatave terroriste.
“Kur jemi te Maqedonia e Veriut, strukturat e FETO-s vazhdojnë të jenë të pranishme në këtë vend, të fshehura pas institucioneve arsimore dhe shoqatave tregtare. Ne i përcjellim autoriteteve kompetente kërkesat tona për t’i pamundësuar veprimtarinë strukturave të FETO-së dhe deportimin e të gjithë personave që kanë lidhje me FETO-n…Këto i vlerësojmë si hapa konkretë, në aspektin e bashkëpunimit tonë dypalësh në luftimin e terrorizmit”, ka deklaruar ambasadori turk, Hasan Mehmet Sekizqok.
Ai tha se Turqia posedon të dhëna të detajuara për veprimtarinë e çdo personi që kërkohet nga drejtësia e Turqisë, e cila do të vazhdojë aktivitetet për” – siç ka thënë – “shkatërrimin e strukturave të FETO-s”.
“Ne kemi dorëzuar dosje për secilin person që kërkojmë të ekstradohet dhe deportohet si dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen që të ndjekim këto kërkesa tona. Të gjithë janë shtetas të Republikës ë Turqisë, mund të ketë ndonjë prej tyre të ketë shtetësi të dyfishtë, por të gjithë këta persona janë shtetas të Turqisë. Përpjekjet tona për të shkatërruar strukturën ndërkombëtare të FETO-s, do të vazhdojnë me vendosmëri”, ka deklaruar ambasadori Sekizqok.
Kërkesa të tilla nga Turqia kishte edhe para katër vjetëve, por edhe atëherë autoritetet maqedonase janë përgjigjur vazhdimisht se kërkesa për ekstradimin e tyre, do të shqyrtohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, por gjithashtu kanë kërkuar prova serioze nëse këta persona janë përfshirë në aktivitete terroriste.
Jozyrtarisht ishte bërë e ditur se personat që kërkohen nga Turqia, janë kryesisht drejtues dhe mësimdhënës të kolegjeve turke në vend, drejtues të gazetave në gjuhën turke, përfaqësues të shoqatave joqeveritare, por edhe afaristë, që sipas Turqisë veprimtarinë e tyre e kanë si “farsë për të mbuluar aktivitetet ekstremiste për lëvizjen e FETO-s”.
Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike, thotë se nuk mund të ketë ekstradim të këtyre personave, pas pasur bazë apo fakte të fuqishme lidhur me pretendimet e Ankarasë, për përfshirjen e tyre në aktivitete terroriste.
“Nëse nuk kanë kryer vepra penale dhe nëse ato nuk janë dëshmuar qoftë në Turqi apo në Maqedoni, atëherë nuk ka bazë ligjore për ekstradim. Sikur edhe të jenë në fazën e hetuesisë, pala turke duhet t’i dëshmojë Maqedonisë se kundër këtyre personave janë ngritur aktakuza, por edhe në këtë rast duhet të jap ndihmë juridike apo të ketë këmbim informatash, por jo të ketë edhe ekstradim të tyre”, ka deklaruar Selmani.
Kërkesa e ambasadorit turk vjen në shënimin e pesë vjetorit të përpjekjes për grushtet në Turqi, më 15 korrik të vitit 2016. Një grup ushtarakësh turk u përpoqën, por nuk arritën ta rrëzojnë qeverinë turke. Gjatë luftimeve ishin vrarë 251 persona, kurse rreth 2,100 ishin plagosur, ndërkohë që dhjetëra-mijëra të tjerë janë arrestuar ose pushuar nga puna, me akuzën se kanë mbështetur grushtshetin pas të cilit sipas Ankarasë, qëndron lëvizja e klerikut Fetullah Gylen.
(Isuf Kadriu, REL)