Vilnius, 12 korrik 2023 – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Parlamenti i vendit të tij nuk do ta ratifikojë kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO së paku deri në tetor.
Duke folur për gazetarët në Vilnius, pas samitit të NATO-s, Erdogan tha se Parlamenti i Turqisë është në pushim për dy muaj dhe më pas “ka shumë propozime [të tjera] legjislative për të diskutuar”.
Turqia u pajtua që Suedia t’i bashkohej aleancës ushtarake në fillim të kësaj jave.
Ajo kundërshtoi me muaj, duke pretenduar se Suedia strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja i konsideron terroriste.
Për të hyrë në NATO një vend, kandidatura e tij duhet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare.
Hungaria ka shtyrë, po ashtu, ratifikimin e kandidaturës suedeze deri në vjeshtë.
Suedia, ashtu sikurse edhe Finlanda, braktisi politikën shumëvjeçare të neutralitetit ushtarak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.
Finlanda u bë zyrtarisht anëtare e NATO-s në muajin prill.
Organizata më e madhe ushtarake në botë numëron 31 vende anëtare, në mesin e të cilave tri janë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
(REL)