Tym e flakë në Kuvendin e Shqipërisë, shumica socialiste e miraton në parim buxhetin e ri të shtetit

Tiranë, 20 nëntor 2023 – Kuvendi i Shqipërisë me shumicë socialiste sot e miratoi në parim buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, në një seancë të shkurtër dhe pa debat, për shkak se një grup deputetësh të opozitës e pamundësuan ecurinë normale të seancës.

Këta të fundit hynë më herët në sallën e seancave plenare dhe i përmbysën karriget e tyre pranë foltores, ku ishin rreshtuar punonjësit e Gardës së Republikës, në shenjë revolte që shumica socialiste tash sa kohë po e shpërfill kërkesën e opozitës për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për investimet strategjike.

Disa prej deputetëve opozitarë ndezën flakadanë e tymuese pranë foltores dhe në tryezat e tyre, në përpjekje për të pamundësuar zhvillimin normal të seancës, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Drejtuesja e Kuvendit, Lindita Nikolla, komunikoi rendin e ditës në mes të thirrjeve, zhurmave dhe tymrave shumëngjyrëshe, duke u kërkuar deputetëve opozitarë të merrnin pjesë në diskutimin e projekt-buxhetin e ri.

“Pse ju nuk doni të diskutoni për buxhetin? Pse ju nuk uleni të diskutoni për investimet dhe rritjen e pensioneve dhe pagave për punonjësit e shërbimeve publike?”, tha zonja Nikolla.

Ajo e hodhi në votim projekt-buxhetin, i cili i mori votat e deputetëve të shumicës në parlament.

Punonjësit e Gardës qëndruan pranë foltores deri në fund të seancës, për t’i penguar deputetët e opozitës t’i afrohen asaj.

Ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se votimi i buxhetit është antikushtetues nga një shumicë e frikësuar prej aksionit opozitar.

“Kjo shumicë vazhdon të shkelë të drejtat kushtetuese të opozitës për komisione hetimore parlamentare. Aksioni opozitar do të vazhdojë pa ndalim për të rikthyer demokracinë në vend”, tha zoti Berisha.

Ndërsa drejtuesi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Blendi Çuçi, shprehu habinë dhe keqardhjen pse opozitarët nuk morën pjesë sot në shqyrtimin e buxhetit më të madh me rritje pagash dhe investimesh, prej mbi 7 miliardë eurosh, që ka ardhur ndonjëherë në Kuvend.

“Kjo është shfaqje e luftës së brendshme në radhët e Partisë Demokratike. Ne nuk kemi krizë. Krizë ka opozita”, tha zoti Çuçi.

Prej disa seancash me radhë një grup deputetësh opozitarë po përpiqen me këtë formë protestash të frenojnë veprimtarinë e Kuvendit në komisione dhe në seancë plenare.

Por socialistët kanë vazhduar mbledhjet online në komisione dhe me seanca të shkurtuara në seanca plenare, ku foltorja bllokohet me karrige nga opozitarët.

Përfaqësues të Partisë Socialiste janë shprehur se ky grup deputetësh opozitarë kanë zgjedhur këtë mënyrë sjellje vetëm për të mbrojtur interesat personale të ish kryeministrit Berisha, i cili është shpallur së fundi person nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit për çështjen e ish Kompleksit Sportiv “Partizani”.

Pas përfundimit të seancës plenare, në sallën e seancave plenare të Kuvendit kanë shkuar punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të këqyrur nga afër vendin e ngjarjes.

(r.m.)