Prokuroria e Tiranës tha se dy të arrestuar punonjës shtetërorë i shitën të dhënat te dy të arrestuarit e tjerë punonjës privatë.
Knid Ndrenika
Prokuroria e Tiranës në më pak se 3 javë arrestoi katër persona të dyshuar si përgjegjës për nxjerrjen nga sistemi dhe publikimin e të dhënave financiare të mbi 690 mijë shtetasve të sektorit privat dhe publik.
Listëpagesat e muajve janar dhe prill 2021 dhe regjistri i targave të makinave për thuajse 600 mijë shtetas si dhe të dhëna të tjera u shpërndanë masivisht në uotsap muajin e kaluar.
Hetimet paraprake identifikuan punonjës të Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit që kishin akses në sistem ku u kopjua dhe shpërnda databaza e listëpagesave.
Kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Ymeraj u tha gazetarëve se dy të arrestuar janë punonjës të sektorit privat që ua blenë të dhënat dy të arrestuave të tjerë punonjës shtetërorë:
“Duke marrë shkas dëmtimin e interesave të shtetasve dhe interesin e shtuar të publikut në raport me ngjarjen. Por edhe shqetësimin që ushtroj si Prokurore në një ngjarje të tillë ku të dhënat shpërndahen në whatsapp-e, nga ana e Prokurorisë është operuar me hetimin. Janë kryer veprimet hetimore, janë marrë të dhënat përkatëse. Është vijuar me sekuestrimin e pc, servare, duke arritur të konkludojmë në një dyshim të arsyeshëm e si rezultat të hetimit paraprak kemi identifikuar 4 autorë. Dy janë punonjës në institucionet shtetërore”.
Në vitin 2021 pati tri rrjedhje masive të dhënave sekrete personale të mbi 900 mijë shtetasve e njohur si çështja e “Patronazhistëve”, veprimtarë të Partisë Socialiste dhe më pas listëpagesat dhe targat e makinave.