Po përfundojnë procedurat për njohjen e Çertifikatës së Vaksinimit nga Bashkimi Europian
Knid Ndrenika
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u bënë thirrje studentëve, pedagogëve dhe mësuesve që të vaksinohen kundër Koronavirusit.
Ata ishin në Qendrën Shëndetësore Nr.1 në Tiranë ku theksuan detyrimin për vaksinimin ndaj COVID19 për studentët, mësuesit, pedagogët, si kusht për të qenë në auditore.
Zoti Rama tha se nëse Shqipëria sot ka stabilitet dhe është shumë më mirë se sa shumëkush tjetër rreth e rrotull, kjo vjen si rezultat i vaksinimit.
Ai theksoi se Shqipëria e bërë shumë shpejt procesin e vaksinimit dhe gjithashtu e ka shtrirë procesin masiv dhe “prandaj jemi shumë më të mbrojtur sot”.
“Nëse nuk do të kishim siguruar sasitë për vaksinimin masiv qysh në krye të herës, sot ne do të ishim duke numëruar larg qoftë dhjetëra të tjerë të vdekur në ditë. Ky është fakt. Tani ne nuk mund dot të hyjmë në situata të rrezikshme, për shkak të atyre që thonë: jo po Bill Gates, jo po George Soros. Këtu tani ndahen gjërat. Dhe në auditore do të hyjnë ata që vaksinohen”-tha kryeministri.
Sipas tij, nuk ka mundësi që pjesa që është e vetëdijshme që do të mbrohet, të kërcënohet nga ata që jetojnë me teoritë e konspiracionit, apo që jetojnë me frikëra që janë komplet antishkencore, të pabazuara, të pajustifikueshme.
“Natyrisht që askush nuk i merr dot me forcë dhe ska ndërmend t’i marrë me forcë askund, por në mjedise ku janë të tjerët je i detyruar të vaksinohesh. E njëjta gjë vlen për mësuesit, e njëjta gjë vlen për administratën. Aty ku janë mjedise publike që mblidhen shumë njerëz, ke detyrimin të vaksinohesh për të tjerët”, apeloi kryeministri Edi Rama.
Ministrja Manastirliu tha se gjatë muajit të hapur të vaksinimit ka një rritje të interesit nga të rinjtë, duke theksuar se plani i vaksinimit do të vijojë edhe në universitete apo konvikte”-shtoi zoti Rama.
Ndërkaq, zonja Manastirliu tha se në auditore, në universitete dhe konvikte po përgaiten grupet e vaksinimit për t’ju dhënë mundësinë që edhe nëse nuk vijnë dot në qendër shëndetësore, të mund të vaksinohen në konvikt apo pranë universitetit.
Për vaksinimin e detyruar, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Silva Bino dhe prof. Alban Ylli thanë se masat e detyrueshme janë te domosdoshme dhe në të mirë të shëndetit publik, raportoi korrespondenti i RTK-së Knid Denion Ndrenika.
Doktoreshë Bino tha se “mekanizmat detyrues njihen sepse gjithë bota i zbaton”, kurse zoti Ylli shtoi se “thelbi i shëndetit publik janë masat, dhe masat janë me detyrim”.
Më tej, ministrja Manastirliu tha se për Çertifikatën e Vaksinimit, së shpejti do te integrohen të dhënat në sistemin e Bashkimit Europian për njohjen e Green Pass.
“Tashmë kemi përfunduar të gjithë procedurat me Bashkimin Europian për të integruar sistemet, jo vetëm për kalimin e kufirit, por gjithashtu edhe për aksesin ndaj shërbimit në Europë, të njihet ky sistem, të njihet Green Pass, besoj brenda shtatorit”-tha ajo.