U.D. Kryeprokurori i Shtetit kërkon efikasitet më të lartë në trajtimin e rasteve të korrupsionit

Prishtinë, 14 nëntor 2022 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës me Kolegjiumin e kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, ku kanë marrn pjesë kryeprokurorët, përfaqësuesit e prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjatë takimit kryeprokurorët kanë paraqitur raportet tre mujore për rastet e korrupsionit dhe kanë shpalosur të arriturat, sfidat dhe vështirësitë e tyre gjatë trajtimit të këtyre rasteve.

Në këtë kontekst, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka kërkuar angazhim të shtuar dhe efikasitet më të lartë në trajtimin e rasteve të korrupsionit.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për regjistrimet e kallëzimeve penale të kësaj natyre, për unifikimin e praktikave të trajtimit të kallëzimeve penale për veprat penale të korrupsionit si edhe për informacionet dhe raportet zyrtare që vijnë nga Policia.

Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar. Në këtë kontekst janë vlerësuar lëvizjet pozitive në bashkëpunimin e Prokurorit të Shtetit me prokuroritë e shteteve tjera dhe është theksuar nevoja e thëllimit të këtij bashkëpunimi, veçmas lidhur me çështjet e ekstradimit dhe transferimit të procedurave penale.

U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët që të avancojnë raportimin për zbatimin e Planit Strategjik të Sistemit Prokurorial.

(r.m.)