U shekullofsh Pëllumb Kulla!

Si sot e 85 vjet me pare Pëllumb Kulla lindi në Zemblak të Korçës, siç thotë vetë: “pa dëshirën time”. Qau siç qajnë të gjithë bebet, pikërisht ai që me dëshirën e tij gajasi gjithë kombin e tij.

Universi e vuri në provat më ekstreme njerëzore. I rrëmbeu jetë nga farefisi i tij – ky veç mençurohej në dhimbje.

Diktatura e shtyu në skajet e harresës rininë e tij – ky i shfaqet 19 vjeçar ballë për ballë Enver Hoxhës dhe i kërkon shkollë.

Fitoi Akademinë e Arteve. Sërish e internuan atje ku njeriu mund të harrojë shqipen – ky mësoi artin e arratisjes me biletën më të lirë në botë “leximin”.

Të dashurën e tij Xhuljetë, me buzeqeshje në portret, e rrëmbeu për grua duke vënë bast me fatin se lumturinë do t’ia bëjë tatuazh në portret asaj.

Dhe kështu ky njeri parakalon në këtë jetë si aktor, dramaturg, shkrimtar, diplomat.

E pra nëse Humorin do ta përfytyrojmë si Dritë- ky zotëri është Hidrocentral.

Më pëlqen të besoj se shpirti i tij ka qindra vjet që ka lindur, thjesht zbriti dhe vendosi të banonte në trupin e një katundari për të vënë bast me Universin.

Kështë që guxoj të them se kam fatin të jetoj me një legjendë të gjallë që Ditë-lind përditë!

Faleminderit Pellumb Kulla!

Falë veprës tënde unë rrugëtova, u transformova dhe takova 120 Shpirtra tê bukur që kanë investuar për Filmin “Lejlekët nuk vijnë më” Një tmerr I bukur kinematografik që po gatuhet për ekranin e madh.

-Thonë se në sirtarin tënd ke fjalimin që do mbash 100 vjeç. Shekullofsh Pëllumb Kulla!

A linde pa dëshirën tënde?

Jeto tani me urdhër nga populli për qejf të tij.🤗🌟🔥

Leonard BOMBAJ

 

 

Era Makoçi
GËZUAR 85-VJETORIN, BA!
 
Te jam mirenjohese, Nardi, për këtë kushtim e përmbledhje të bukur të figurës publike te tim eti në ditën e tij te lindjes. Ti e di, unë ka kohe qe të shoh si vëllain tim me nënë tjetër (dhe madje, shpresoj shumë, dhe me baba tjetër?). Dhe im atë si djalin e vet duket sikur të sheh. (Se jo për gjë, por kishim nevojë për më shumë pretendente për trashëgiminë e Pellumbit e cila konsiston kryesisht në disa pajisje elektroshtepiake, që mundet ose jo të jenë të markave jugosllave nga më cilësoret në vitet 80-të, të tipit “Obodin”, dhe te drejta autori te papretenduara nga mijera video pirate me krijimtarine e tij ne Youtube!).
Unë do të doja, po të mundesha, të shkruaja dy radhë për figurën e tim eti si prind. Më vjen keq që në këtë ditëlindje të 85-të të jem larg tij; ai është në Florida e unë në Tiranë. Rikthehem gjithmonë me qejf në Shqipëri, sepse vetëm në këtë vend më njohin a prezantojnë rregullisht si “vajza e Pellumbit”, dhe ky prezantim bart një lloj çlirimi nga përgjegjësia thellësisht individuale që ndjej kudo tjetër në përpjekjen për të pretenduar një copëz vend nën diell.
Sfida e një urimi ditëlindje nëpërmjet FB qëndron në zgjedhjen e përsiatjeve që mund të ndash publikisht mbi atë marrëdhënien tonë prind-fëmijë, aq personale e intime për nga natyra. Ajo ku do gjenin veten fëmijët e çdo prindi kudo në botë është refreni i bëmave personale që fillojnë me: “kur isha unë sa ju…” apo “në kohën tonë…”. Ideja e tim eti për pedagogji prindërore nganjëherë, ngjashëm me çdo prind (akoma dhe me mua vetë sepse e bëj me tim bir) shërbehet jo rrallë në shembuj nga fëmijëria e vet. Unë e vellezrit, lindur e rritur (sadopak) në një diktaturë komuniste, na qëllonte të na nisnin për në dyqan të zinim ndonjë radhë. Justifikimet tona për të mos ta bërë (jo “kam frikë se është terr e s’ka zbardhur ende”, jo “jam përgjumësh!”) ktheheshin ndonjëherë në pretekstin e tij që të dëgjonim heroizma fëmijërore prej viteve 50-të: “Ju marrtë e mira sa të përkëdhelur e delikatë që jeni! Po unë kur isha 9 vjeç shkoja vetëm me kalë në Korçë! Nga Zemblaku!” Këto histori ngadhënjimesh personale kishin dy elementë konstante: së pari, fëmijëria e tij ishte shumë shumë më e vështirë se e jona, se në fund të fundit, ne kishim gjithë të mirat, sic thoshte ime ëmë, (për shembull, bukën për në shkollë na e jepnin edhe me gjalpë, por edhe me djathë!); dhe së dyti, sa më e madhe sfida aq më impresiv ngadhënjimi mbi të. (Aq sa s’do të çuditeshim fare sikur të dëgjonim një ditë: “kur isha unë sa ju, as ujë nuk kishim! Mua më dërgonte nëna që në mëngjes të mblidhja dy atome hidrogjen e një oksigjen e t’i përplasja bashkë gjithë ditën që të bëhej H2O, e kështu deri sa të mbushej gjymi!”)
Ka diçka interesante në historinë e familjes. Farefisi rreshton shumë Kulla ambicioze si paraardhes te Pellumbit; ca me tituj honorifikë, njerëz të suksesshëm në arritjen e begatisë financiare (pronarë tokash e çifliqesh), në pozicione të rëndësishme në administratë publike, ushtarakë të lartë të studiuar në Itali e të kthyer për t’u bërë pjesë e hierarkisë së mbretit Zog (madje njëri nga paraardhësit kryesonte forcën e vet ushtarake në zonën e Korçës, të cilën ia kishte vënë në dispozicion mbretërisë për mbrojtjen e kufirit Shqipëri-Greqi). Në sfond të kësaj historie familjare, mua më zbavit ambicia e papritur e tim eti, i cili vendos thjesht që t’i dedikohet nje jete duke i bërë njerëzit për të qeshur e menduar (me ndonjë shkëputje për angazhim në diplomaci si Ambasadori i Shqipërisë në OKB). Duke ndjekur pasionin e tij i lejoi vetes një luks të rrallë, atë që të mos punonte (megjithëse ende zgjohet cdo ditë në 3 të mëngjesit e shkruan e shkruan). Por nëse ndjek atë që të pëlqen, thonë, të paguajnë a s’të paguajnë, nuk është punë, por thirrje nga lart. (Dhe më tej, fatkeqësisht, vazhdon historia me mua që e kam aq zili për këtë, e që as të arrij të bëj atë që kam pasion nuk bëra dot, por kjo është histori tjetër…). Nardi thekson kontributin e tij në fushën e komedisë, por unë do shtoja gazin që gjej unë nga kontributet në fushën e publicistikës. S’po flas për përmbajtjen e artikujve jo; ato janë të menduara, të paanshme, plot me xhevahirë sarkazme dhe urtësie, nëse shtrëngohem të flas seriozisht mbi to. Po flas për gazin që na sjellin herë pas here komentet negative, ato me gjuhë më të piperosur, nëpër portale, që në varësi të artikullit, e bëjnë herë zogist, herë berishist, herë ramist, herë të shitur, herë te blerë, e herë te dhënë me qira. Në një ditëlindje tjetër ia mblodhëm poshtë e lart nëpër gazeta e portale online gjithë ç’thoshin pseudonime si “Madonna di Rroskovec”, “Baba Zequa”, “Radikali”, etj., e ia lexuam një për një, por me interpretim ama! Zbavitje familjare e vyer! Këtë mundesh ta bësh me një njeri si ai, me të tillë vetësiguri, që s’e prish hiç qejfin, çfarëdo që të thuhet për të. Dhe ky mbase është mësimi më i vyer në qasjen ndaj jetës që di unë të na ketë dhënë. Sipas tij, nuk ka vështirësi, sharje, sfida, dhimbje, a vuajtje, të cilat nuk minimizohen dot duke u tallur për vdekje, e që nuk mbarojnë dot me një të qeshur në fund. Dhe për këtë i jam mirënjohëse përjetë!
Une e ngacmoj shpesh, por e vërteta është që ndihem me fat të jem bija e tij. Një fjalë e tij e vetme ka fuqinë të më ngrejë moralin, të më davarisë dyshimet, e të më bëjë të lumtur. Dhe sinqerisht, nuk egziston askush tjetër në këtë botë që ta ketë atë fuqi vetëm me një fjalë tek unë. Ajo çka më trishton vetëm është ndërgjegjësimi se si koha kalon me shpejtësi marramendëse. Teksa kur isha e vogël tim atë ma merrte tutje angazhimi i tij në teatër e krijimtari, sot ma merr tutje gjeografia (jetojmë larg) dhe koha: koha për të ndenjur më shumë me të, e për të dëgjuar (ndoshta dhe për herë të dhjetë) historitë e tij, më të këndshmet në botë, që ai s’i tregon asnjëherë njësoj… Koha, kjo armike e pamëshirshme me të cilën çdo betejë dikur kthehet pashmangshmërisht në disfatë.
E tani ai është 85… Surreale! Ai i sfidon të gjitha përfytyrimet e mia të mëhershme për atë se si duhet të jetë një 85-vjeçar, me apo pa stentë në një nga arteriet dominante. Sepse ai është ende një njeri që unë s’e shoh dot përveçse energjik, përveçse të fortë fizikisht, në imagjinatë, në logjikë, dhe në karakter. Gjithmonë ka qenë, gjithmonë do të jetë..
Gëzuar ditëlindjen babai im i adhuruar! U bëfsh dhe njëqind!