U ZGJODH KRYESIA E RE E SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË

(Mëhill Velaj u rizgjodh kryetar, dr. Yllka Filipi nënkryetare dhe Veneta Çallpani sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)

Nga Adnan Mehmeti, Presidenti i Shoqatës

Nju Jork, 2 prill 2021 – Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë votuan online për zgjedhjet e reja 2021. Kjo u bë e detyrueshme, pasi ishte i vështirë organizmi sipas traditës që mund të shoqërohej edhe me veprimtari të tjera.

     Në mesin e krijuesve, kolegëve dhe anëtarëve të Shoqatës, u propozuan disa kandidatë. Shumica e votave ishin për kandidatin Mëhill Velaj.

     Mëhill Velaj është autor i 20 librave me poezi, tregime, publicistikë dhe romane. Ai është anëtar i Shoqatës që nga themelimi i saj dhe ka mbajtur postin e nënkryetarit për dy mandate në vitet 2005-2007 dhe 2007-2010. Në vitet 2010-2013 ka qenë sekretar ndërsa nga viti 2016-2019 ishte kryetar i Shoqatës.

Mëhill Velaj kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

     Përvoja e tij organizative do jetë garanci që të dërgohen më tej rezultatet e punës në Shoqatë.

     Në këtë ditë të shënuar për mbarë krjuesit ai tha për anëtarët e Shoqatës:

     “Ju falënderoj për ndjenjën e respektit dhe vlerësimit, për atë memorje kulture që ju karakterizon mes hyjnores, krijueses e njerëzores. Shumë mirënjohje dhe falenderime që me votat tuaja më dhatë besimin dhe respektin, duke më zgjedhur kryetar të Shoqatës. Për shkak se mandati ynë i parë qëlloi në kohë pandemie, shumë aktivitete letrare u pezulluan. Me kënaqësi deklaroj se kryesia e Shoqatës do të jetë si në mandatin e kaluar”.

     Studiuesja e letërsisë dhe shkrimtarja dr.Yllka Filipi, u rizgjodh nënkryetare ndërsa shkrimtarja e re e talentuar Veneta Çallpani, sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

     Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë u themelua në vitin 2001 nga dr. Gjekë Marinaj, i cili njëherit ishte edhe president. Ndërkaq, në vitin 2009 president i Shoqatës u zgjodh Adnan Mehmeti, pozitë të cilën e mban aktualisht. Kryetari i parë i Shoqatës ka qenë Naum Prifti, ndërsa për dy mandate radhazi u zgjodhën, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj dhe Raimonda Moisiu.

     I urojmë suksese kryesisë së Shoqatës në jubileun e 20- vjetorit të themelimit të saj!