Uashington, 1 prill 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe Ministrja e Jashtme britanike, Liz Truss, diskutuan të premten për veprime të mundshme shtesë për të përshpejtuar përgjigjen ndaj sulmit të Presidentit rus Vladimir Putin ndaj Ukrainës, tha Departamenti i Shtetit.
Ata diskutuan gjithashtu mbi takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s javën e ardhshme, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.
“Të dy diskutuan takimin e ardhshëm të Ministrave të Jashtëm të NATO-s dhe zhvillimin e veprimeve të mundshme shtesë për të forcuar përgjigjen tonë ndaj sulmit të vazhdueshëm të Putinit mbi popullin ukrainas”, tha zoti Price.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatët kanë vendosur disa raunde sanksionesh ndaj Moskës, gjatë pesë javëve që kur Rusia nisi sulmin më të madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. Moska e quan atë një “operacion special”.
Zëvendës Sekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Wally Adeyemo, shkoi në Londër në fillim të kësaj jave si pjesë e një turneu në Evropë për të koordinuar sanksionet me aleatët për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe për të diskutuar hapat e ardhshëm me partnerët, përfshirë vendosjen në objektiv të sektorëve kritikë të ekonomisë ruse.
Zoti Adeyemo, duke folur të martën në Londër, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj planifikojnë sanksione të reja për më shumë sektorë të ekonomisë ruse që janë jetësore për mbështetjen e sulmit të saj në Ukrainë, përfshirë zinxhirët e furnizimit ushtarak.
Ai është mes zyrtarëve amerikanë që u kanë bërë thirrje udhëheqësve botëror që të vazhdojnë trysninë mbi Moskën ose t’i bashkohen fushatës së sanksioneve dhe masave të tjera, pasi tronditja fillestare ekonomike për Rusinë duket se po zbehet.
Zoti Adeyemo ishte gjithashtu në Bruksel, Paris dhe Berlin, ndërsa zëvendës-këshilltari i sigurisë kombëtare për ekonominë ndërkombëtare, Daleep Singh, ushtroi trysni ndaj zyrtarëve indianë në Nju Delhi dhe Sekretari Blinken diskutoi mbi luftën në Ukrainë me Princin e Kurorës së Abu Dhabit, Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan në Marok.
(Zëri i Amerikës)