Uashingtoni, 11 mars 2022 – Administrata e Presidentit amerikan Joe Biden tha se dy raketat e lëshuara nga Koreja e Veriut javët e fundit ishin prova me një raketë balistike ndërkontinentale, të re e të fuqishme, me rreze të gjatë veprimi. Zyrtarët amerikanë paralajmëruan të enjten se Pheniani mund të kryejë së shpejti një provë me të gjerë.
Provat e fundit u kryen me një raketë që sipas njoftimeve është më e madhe se raketa balistike që Koreja e Veriut e lëshoi në vitin 2017, e cila, sipas vlerësimeve, mund të arrinte deri në Shtetet e Bashkuara.
Pentagoni tha se forcat amerikane të mbrojtjes ndaj raketave dhe zbulimit në Paqësor e kanë rritur gjendjen e gatishmërisë në përgatitje për të tjera prova nga Pheniani.
Koreja e Veriut pretendon se raketat e lëshuara më 4 mars dhe më 26 shkurt ishin thjesht për të testuar kamerat që do të instaloheshin në një satelit të ardhshëm që do të përdoret për vëzhgim.
Rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ndalojnë Korenë e Veriut të gjuajë raketa balistike ndërkontinentale dhe sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane, Uashingtoni pritet të shpallë një raund të ri sanksionesh të premten që synon ta bëjë më të vështirë për Phenianin qasjen tek teknologjia e nevojshme për programet e tij të armëve.
Raketa e lëshuar në vitin 2017 ishte pjesë e një serie testesh që nxitën Presidentin e atëhershëm Donald Trump të kërcënonte udhëheqësin e Koresë së Veriut se do të përballej me “zjarr dhe tërbim” si dhe vendosi dy vendet në prag të një konflikti më serioz.
Që nga marrja e detyrës vitin e kaluar, administrata Biden ka kontaktuar disa herë me Korenë e Veriut në një përpjekje për ta rikthyer atë në tryezën e bisedimeve pasi tre takimeve të zotit Trump me udhëheqësin e Pheniat Kim Jong-un, që synonin çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean, nuk sollën ndonjë ndryshim të dukshëm në qëndrimin e Koresë së Veriut.
Zyrtarët amerikanë thatë të enjten se Koreja e Veriut nuk i është përgjigjur ende asnjë kërkese të SHBA-ve. Presidenti Biden është shprehur i hapur për takim me udhëheqësin e Pheniat, nëse çarmatimi bërthamor do të temë e bisedimeve.
(Zëri i Amerikës)