Uashington, 23 shkurt 2024 – Ndonëse luftimet në Gazë nuk tregojnë shenja se janë afër përfundimit, bashkësia ndërkombëtare ka filluar të shqyrtojë skenar se si do të duket Rripi i Gazës pas luftës. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Jerusalem, Linda Gradstein, Shtetet e Bashkuara thonë se duan të shohin krijimin e një shteti të demilitarizuar palestinez të udhëhequr nga Autoriteti i reformuar Palestinez. Izraeli vazhdon të kundërshtojë krijimin dhe njohjen e një shteti palestinez.
Me izraelitët ende të traumatizuar nga masakra e grupit militant Hamas ndaj vendbanimeve izraelite më 7 tetor, shumica absolute e deputetëve në parlamentin e Izraelit Knesset votuan për të kundërshtuar njohjen e njëanshme të shtetit palestinez.
“Izraeli do të vazhdojë të kundërshtojë njohjen e njëanshme të shtetit palestinez. Një njohje e tillë përballë masakrës së 7 tetorit do të ishte një shpërblim i madh dhe i pashembullt i terrorizmit,” deklaroi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar fuqimisht veprimet e Izraelit në Gazë që kanë çuar në vdekjen e 29,000 njerëzve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze dhe kanë krijuar një krizë humanitare në Gazë. Ata po ashtu thonë se Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez. Autoriteti Palestinez, që kontrollon Bregun Perëndimor, e konsideron reagimin aktual ndërkombëtar ndaj luftës Izrael-Hamas si një mundësi për të nxitur krijimin e shtetit.
“Bota nuk duhet të ndjekë qëndrimin e Netanyahut dhe qeverisë së tij, që kundërshton zgjidhjen me krijimin e dy shteteve. Në vend të kësaj, bota duhet të përpiqet t’i japë fund okupimit, të njohë njëanshëm Shtetin e Palestinës, të votojë që Palestina të bëhet shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara,” deklaroi Kryeministri palestinez Mohammed Shtayyeh.
Sipas raportimeve në mediat amerikane, Uashingtoni po parashikon një rend të ri rajonal, sipas të cilit Izraeli pajtohet me krijimin e një shteti të demilitarizuar palestinez ne Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. Në këmbim, Izraeli do të përfitojë një plan paqeje, i dëshiruar prej kohësh me Arabinë Saudite, e cila nga ana e saj do të siguronte një marrëveshje mbrojtjeje me Shtetet e Bashkuara. Shtete të tjera arabe që tashmë kanë nënshkruar marrëveshje paqeje me Izraelin do të ofrojnë garanci sigurie që shteti palestinez të mos bëhet kërcënim për Izraelin.”
Disa analistë palestinezë dhe ish negociatorë paqeje e konsiderojnë nismën amerikane si jorealiste dhe jo përmbajtësor.e
“Kur Shtete e Bashkuara flasin për shtetin palestinez, nuk mendoj se është e qartë se për çfarë përmbajtjeje bëhet fjalë. Kur flasin për të, ata po i përgjigjen një kërkese rajonale, që të paktën krijimi i shtetit të jetë në horizont politik,” thotë ish negociatori palestinez Ghaith Al Omari.
Kjo gjë është provuar në të kaluarën. Në vitin 1993, Izraeli dhe palestinezët, bashkë me Presidentin Bill Clinton, nënshkruan Marrëveshjen e Oslos që skicoi rrugën për krijimin e shtetit palestinez. Ai nuk u realizua. Por disa negociatorë të Oslos thonë se nuk është shumë vonë, qoftë edhe tani pas masakrës së Hamasit dhe pas katër muajsh lufte në Gazë.
“Zakonisht, pas luftës arrihet paqja. Shikoni historinë, të gjithë e kemi studiuar. Në historinë e Evropës dhe vendeve të tjera marrëveshjet janë arritur pas luftrave. Si është e mundur? Urrejtja rritet në dyja anët pas luftrave dhe njerëzit duan ta heqin qafe problemin që shkaktoi luftën dhe arrin një moment, që janë të gatshëm për paqen,” thotë negociatori izraelit Yossi Beilin.
Por ky version i paqes së zotit Beilin aktualisht nuk përputhet me opinionin publik izraelit, sipas një ankete të Institutit për Demokraci të Izraelit. Sipas anketës, dy të tretat e hebrenjve izraelitë nuk e mbështesin një shtet palestinez, as qoftë edhe si pjesë të një marrëveshjeje që do të përfshinte paqen me Arabinë Saudite.
(Zëri i Amerikës)