Uashington, 23 gusht 2022 – Ambasada amerikane në Kiev u bëri thirrje të martën shtetasve amerikanë të largohen nga Ukraina, për shkak të informacioneve të besueshme se Rusia po përgatitet të godasë në ditët në vijim infrastrukturën civile dhe qeveritare të këtij vendi.
Paralajmërimi vjen ndërsa më 24 gusht shënohen plot 6 muaj që kur Moska sulmoi Ukrainën, ditë që përkon dhe me 31 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës nga ish Bashkimi Sovjetik.
Mes frikës për sulme nga Rusia, qeveria ukrainase mori vendim të ndalë festimet të mërkurën në kryeqytetin e vendit.
“Departamenti i Shtetit ka informacione se Rusia po rrit përpjekjet për të nisur sulme kundër infrastrukturës civile dhe objekteve qeveritare ukrainase në ditët në vijim”, thuhej në një deklaratë të ambasadës amerikane.
“Qytetarët amerikanë duhet të largohen nga Ukraina menjëherë, me mjetet e tyre, nëse kjo do të ishte një gjë e sigurt për t’u ndërmarrë”, vijonte më tej deklarata.
Kjo nuk është hera e parë që Uashingtoni lëshon një paralajmërim të tillë, por në këtë rast paralajmërimi vjen ndërsa Ukraina shënon përvjetorin e pavarësisë nga sundimi sovjetik.
Njoftimi vjen gjithashtu pas vrasjes të shtunën me një makinë bombë të Darya Dugina-s, vajzës së një ultra-nacionalisti të njohur rus, bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Putin. Moska ka fajësuar për vrasjen agjentë të zbulimit ukrainas, një akuzë që Kievi e ka hedhur poshtë.
(Zëri i Amerikës)