Udhëheqësit e BE-së diskutojnë për përdorimin e fitimeve nga pasuritë e ngrira ruse për ta armatosur Ukrainën

Bruksel, 21 mars 2024 – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian diskutojnë të enjten një plan për të përdorur miliarda euro fitime nga pasuritë e ngrira financiare ruse për të blerë armë për Ukrainën, ndërsa përpiqen të forcojnë Kievin në luftën e tij kundër agresionit të Moskës.

Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të bllokut do të debatojnë gjithashtu se çfarë mund të bëjë më shumë Evropa për të mbrojtur veten dhe për të rritur industrinë e saj të armëve, duke pasqyruar frikën se Rusia mund të mos ndalet në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë një mbrojtëse aq e vendosur e Evropës në të ardhmen.

Përgjatë takimit dy ditësh në Bruksel, ata do të trajtojnë gjithashtu tema të ndryshme si luftën në Gaza, mundësinë e hapjes së bisedimeve me Bosnjën për anëtarësimin e saj në bllok dhe protestat e fermerëve.

Por Ukraina do të jetë në krye të diskutimeve me presidentin Volodymyr Zelenskiy, që do t’i drejtohet takimit përmes video lidhjes.

Udhëheqësit e BE-së kanë shprehur shqetësimin në rritje për situatën në Ukrainë, me forcat ukrainase që vuajnë mungesën e municioneve ndërsa po luftojnë për të frenuar trupat ruse, dhe një paketë ndihme ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Kievin, që ka ngecur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

“Në vitin e tretë të agresionit të Rusisë në Ukrainë, ne përballemi me një moment thelbësor”, shkroi Charles Michel, president i Këshillit Evropian, në ftesën e tij drejtuar udhëheqësve të vendeve anëtare për takimin.

“Urgjenca, intensiteti dhe vendosmëria e palëkundur janë të domosdoshme”, shkroi ai.

Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, këtë javë propozoi marrjen e fitimeve nga pasuritë e ngrira ruse në Evropë pas agresionit të Moskës dhe transferimin e rreth 90 për qind të tyre në një fond të drejtuar nga BE-ja që përdoret për financimin e armatimit të Kievit.

Të mërkurën Rusia e përshkroi planin e BE-së si banditizëm dhe vjedhje.

Ideja e përdorimit të të ardhurave në dobi të Ukrainës gëzon mbështetje të gjerë midis qeverive të BE-së, thonë diplomatët. Por përdorimi i parave për të blerë armë është më problematik për disa vende.

SYTË NGA ORBANI

Vëmendja më e madhe do të përqendrohet në reagimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili mban lidhje më të ngushta me Moskën sesa udhëheqësit e tjerë të BE-së dhe kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë.

Propozimi gjithashtu ngre pikëpyetje për vendet neutrale ose të paangazhuara ushtarakisht si Malta, Austria dhe Irlanda.

Asnjë vendim përfundimtar nuk pritet në takim, por udhëheqësit do të tregojnë se si duhet të vazhdohet më tej me propozimin.

Në një projektdeklaratë të takimit thuhet se udhëheqësit “shqyrtuan përparimin” rreth përdorimit të të ardhurave “në dobi të Ukrainës, duke përfshirë ndoshta financimin e mbështetjes ushtarake” dhe u kërkon organeve të BE-së që “të çojnë punën përpara”.

Aty thuhet gjithashtu thotë se BE-ja “është e përkushtuar për të rritur gatishmërinë dhe aftësitë e saj të përgjithshme të mbrojtjes, për të përmbushur nevojat dhe ambiciet e saj”, mes “kërcënimeve në rritje dhe sfidave të sigurisë”.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe disa udhëheqës të tjerë, kanë mbështetur një propozim të kryeministres së Estonisë Kaja Kallas për obligacionet evropiane të mbrojtjes. Por vende të tjera, duke përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Holandën dhe Suedinë, janë të rezervuara.

Sa i përket luftës në Gaza, diplomatët kanë diskutuar shumë për një formulim të drejtpeshuar në tekst, që kënaq aleatët e ngushtë të Izraelit si Hungaria, Republika Çeke dhe Austria, si dhe mbrojtësit e fortë të palestinezëve si Spanja, Irlanda dhe Belgjika.

“Teksti që kemi tani është një vazo e brishtë. Shpresoj se ky konstrukt i brishtë do të qëndrojë”, tha një diplomat i lartë i BE-së.

(Zëri i Amerikës)