Prishtinë, 1 shkurt 2022 – I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, janë takuar sot me përfaqësuesit e Listës Serbe. Në takim është biseduar për procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, me theks të veçantë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në takimin me emisarët e SHBA-së dhe BE-së, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë bërë shumë ankesa dhe kanë parashtruar shumë kërkesa.
Në komunikatën e përmedie të Listës Serbe thuhet se përfaqësuesit e këtij subjekti politik kanë thënë se pala kosovare nuk po i përmbush obligimet e marra me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq theksoi se Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton qëllimet e Prishtinës për të minimizuar obligimet e tyre lidhur me juridiksionin e Asociacionit të Komunave serbe, por edhe detyrimet tjera nga marrëveshjet e arritura, siç janë ato në fushën e drejtësisë, energjisë, diplomave dhe realizimin e vizitave të zyrtarëve [të Serbisë] tek serbët në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë kërkuar edhe forcimin e sigurisë për serbët e pronat e tyre si edhe për pronat e Kishës Ortodokse Serbe. Ata janë ankuar edhe për “lëvizje të njëanshme” të forcave të sigurisë së Kosovës në vebndbanimet me shumicë serbe.
“Bashkësisë ndërkombëtare i është kërkuar të bëjë përpjekje dhe të parandalojë lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, me të cilat rrezikohen siguria, paqja dhe bashkëjetesa në këto hapësira”, thuhet në komunikatë.
Escobar dhe Lajçak janë takuar të martën, veç e veç, me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Liderët e partive opozitare në Kosovë kanë thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të bazohet në njohjen reciproke të Kosovës e Serbisë, paecenuart sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
(r.m.)