Kiev, 1 dhjetor 2024 – Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të BE-së, shkuan të dielën në kryeqytetin e Ukrainës Kiev, në ditën e parë në postet e tyre të reja, duke dërguar kështu një mesazh mbështetjeje për Ukrainën në luftën me Rusinë.
Vizita e tyre vjen ndërsa Ukraina përpiqet të zmbrapsë një ofensivë të rëndë ruse dhe përballet me pasigurinë e politikës së SHBA-së ndaj Kievit kur Donald Trump të marrë detyrën muajin e ardhshëm.
“Që nga dita e parë e luftës, BE-ja ka qëndruar në krah të Ukrainës,” postoi Costa në rrjetin X së bashku me një fotografi të tij, zonjës Kallas dhe shefes së zgjerimit të BE-së Marta Kos duke mbërritur me tren në Kiev.
“Që në ditën e parë të mandatit tonë, ne po rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për popullin ukrainas”, u shpreh ai.
Si zonja Kallas ashtu edhe zoti Costa kanë qenë përkrahës të fortë të Ukrainës që kur filloi agresioni i Rusisë në shkurt 2022. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk mund të bëjë premtime specifike për ndihmë të mëtejshme, pasi një gjë e tillë do të kërkonte miratimin e vendeve anëtare të BE-së.
BE thotë se institucionet e saj dhe vendet anëtare kanë vënë në dispozicion rreth 133 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën që nga fillimi i luftës, por mbështetja e ardhshme mbetet e pasigurt veçanërisht nëse zotit Trump redukton mbështetjen amerikane.
Presidenti i zgjedhur Trump ka kritikuar përmasat e ndihmës për Kievin dhe ka thënë se do të punojë për një përfundim të shpejtë të luftës, por pa thënë konkretisht se si.
Në fushën e betejës, trupat e Moskës po përparojnë fshat pas fshati, në një përpjekje për të vënë nën kontroll përfundimisht rajonin industrial të Donbasit, ndërsa sulmet ajrore ruse kanë vënë në shënjestër rrjetin e dëmtuar të energjisë të Ukrainës me fillimin e dimrit.
“Në vizitën time të parë që nga marrja e detyrës, mesazhi im është i qartë: Bashkimi Evropian dëshiron që Ukraina të fitojë këtë luftë,” shkroi zonja Kallas në rrejtin X. “Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për këtë.”
Si kryeministre e Estonisë, e cila kufizohet me Rusinë, zonja Kallas ka qenë një nga kritiket më të zëshme të Rusisë.
Costa, një ish-kryeministër i Portugalisë, tha në një ceremoni në Bruksel të premten, se të gjithë duan paqe pas më shumë se 1000 ditëve të luftës Ukrainë-Rusi, “veçanërisht populli ukrainas”. “Paqja nuk do të thotë kapitullim. Paqja nuk duhet ta shpërblejë agresorin,” shtoi ai.
(Zëri i Amerikës)