Kukës, 12 gusht 2022 – Pas krizës së fluturimeve në muajt e dimrit, aeroporti i Kukësit është gjallëruar sërish këtë sezon vere – ndërsa mbi 80% e udhëtarëve janë shqiptarë të Kosovës ose të diasporës.
Rifat Gashi nga Suhareka e Kosovës e preu biletën e avionit në momentin e fundit. Ai nuk e kishte planifikuar të udhëtonte këtë verë drejt Zvicrës, vendit ku fëmijët e tij jetojnë prej vitesh, por nuk i rezistoi dëshirës së tyre.
Këtë herë, Gashi bashkë me të shoqen dhe fëmijët po udhëtojnë për herë të parë përmes aeroportit të Kukësit.
“Unë e kam prerë biletën 400 euro për në Bazel, pasi e preva në momentet e fundit,” thotë burri, ndërsa anëtarët e tjerë të familjes u shprehën të kënaqur “me çmimin”.
Aeroporti i Kukësit synon të ofrojë fluturime me kosto të ulët për pasagjerët nga Shqipëria dhe Kosova drejtë Zvicrës dhe Gjermanisë, dy vende me një diasporë të madhe shqipfolëse me origjinë nga të dyja anët e kufirit që ndan shqiptarët në dy shtete në Ballkan.
Pas një periudhe krize në muajt e dimrit, aeroporti i Kukësit duket se po rikuperon aktivitetin këtë verë, kryesisht falë udhëtarëve nga Kosova.
Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Kukës i tha BIRN se nga 1 maji deri më 31 korrik, numri i hyrjeve nga ky aeroport është 10 390 persona; mes të cilëve 1238 shtetas shqiptarë dhe 9152 shtetas të huaj.
Megjithatë, 83 për qind e atyre që klasifikohen shtetas të huaj janë qytetarë të Kosovës ose pjesë e diasporës së saj në Gjermani, Zvicër apo Austri.
Edhe numri i daljeve nga ky aeroport është në kuota të përafërta; me 1331 shtetas shqiptarë dhe 7496 shtetas të huaj, kryesisht nga Kosova, tha Drejtoria e Kufirit në një përgjigje me shkrim.
Aeroporti i Kukësit u ndërtua në vitet 2000 përmes një donacioni prej 30 milionë USD nga princi i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pavarësisht premtimeve në kohë fushate, qëndroi për më shumë se një dekadë i mbyllur për shkak se kontrata koncesionare e Rinasit nuk lejonte aeroporte të tjera në vend.
Në fund të vitit 2018, qeveria vlerësoi se aeroporti i Kukësit kishte nevojë për investime shtesë dhe vendosi dhënien e tij me koncesion për 35 vjet te kompanitë “Global Technical Mechanichs” sh.p.k., e lidhur me grupin “Kastrati”.
Aeroporti u hap zyrtarisht më 9 korrik 2021 dhe këtë sezon turistik ofron katër fluturime në ditë. Aty operojnë kompanitë Air Albania dhe Wizz Air me destinacione në Basel -Mulhouse, Vjenë, Mynih dhe Karlsruhe/Baden-Baden.
Edhe shefja e marketingut të aeroportit, Xhesika Peço i tha BIRN se edhe gjatë vitit 2021, 80 për qind e pasagjerëve ishin nga Kosova.
“Kjo përqindje parashikohet edhe në të ardhmen, ndaj jemi të orientuar drejt atyre linjave që fluturojnë më së shumti pasagjerët nga Kosova,” theksoi Peço.
Shezeden Misini nga fshati Zgatar i komunës së Dragashit në Kosovë ndodhet në terminal duke pritur kunatin e tij nga Viena. Ai thotë se konkurrenca në çmime dhe afërsia me shtëpinë i ka shtyrë shumë anëtarë të diasporës që të fluturojnë nga Kukësi.
“E kemi afër, për 40 apo 50 minuta nga shtëpia jonë. Është më i lirë dhe më shpejt se aeroporti i Prishtinës apo Shkupit,” tha Misini.
Aeroporti u ka ardhur në ndihmë edhe qytetarëve shqiptarë nga veriu i vendit – ndonëse në një numër më të ulët.
Pasi vizitoi të shoqin në Shtutgart të Gjermanisë, Arjeta Bardulla dhe dy fëmijët e saj udhëtuan drejt Kukësit nga Baseli. Gruaja është nga Peshkopia dhe është në pritje të makinës për t’kthyer në shtëpi.
“Udhëtimi nga Bazeli në Kukës ishte shumë komod dhe me çmime të lira prej 49 euro për person. Po të udhëtoja nga Shtutgarti do paguaja 200 euro për person,” tha Bardulla.
Përveç aeroportit “Zayed – Flatrat e Veriut” në Kukës, qeveria “Rama” ka çuar përpara planet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës si dhe ka premtuar një aeroport tjetër në Sarandë, por përfaqësues të opozitës e quajnë këtë një model të paqëndrueshëm për shkak të punës vetëm gjatë muajve të verës.
(Bashkim Shala, Reporter.al)