Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Sipas buletinit të datës 28 maj, 2021 nënshtetasve amerikanë u lejohej të përdornin pasaportat që u kishin skaduar më ose pas datës 1 janar, 2021, për kthim në SHBA deri më 31 dhjetor, 2021. Ky përjashtim është shtyrë duke bërë të mundur që përdorimi i pasaportave amerikane të skaduara për kthim direkt në Shtetet e Bashkuara të vazhdojë deri më 31 mars, 2022. Pasaportat e skaduara nuk mund të përdoren për të udhëtuar nga SHBA-ja drejt një destinacioni të huaj ose për të udhëtuar drejt një vendi të huaj me qëllim qëndrimi aty për një periudhë më të gjatë se ajo e tranzitit në aeroport, në pritje për të marrë avionin drejt SHBA-së apo territoreve të SHBA-së.
Përfitojnë nga përjashtimi i lartpërmendur ata udhëtarë që përmbushin kriteret e mëposhtme:
- Janë nënshtetas amerikanë.
- Gjenden aktualisht jashtë shtetit dhe kërkojnë të kthehen në SHBA.
- Po fluturojnë direkt drejt SHBA-së apo territoreve të saj, ose gjatë rrugës së kthimit për në SHBA ose në territoret e saj, kanë një tranzit të shkurtër, apo duhet të ndërrojnë avionin në një shtet të huaj.
- Pasaporta e skaduar ka qenë e vlefshme për një periudhë 10 vjeçare. Ose nëse ishin 15 vjeç ose më të vegjël kur u pajisën me pasaportë e cila ishte e vlefshme për një periudhë 5 vjeçare.
- E kanë në zotërim pasaportën e skaduar dhe kjo pasaportë nuk është e dëmtuar.
Pyetjet që kanë të bëjnë me vënien në zbatim të këtij udhëzimi, ku përfshihet dhe autorizimi i nënshtetasve amerikanë për të hipur në avion, duhet t’i drejtohen Regional Carrier Liaison Groups, grupe të krijuara nga CBP-ja (Agjencia Federale e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufijve) për të mundësuar komunikimin mes kësaj agjencie dhe firmave të fluturimit, ose me zyrtarin e caktuar apostafat nga CBP-ja për t’u marrë më këtë çështje përpara nisjes së avionit.
Pasaportat do të bëhen më të shtrenjta — Ja se sa do të paguajnë udhëtarët
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka rritur koston e pasaportave, duke e shtrenjtuar kështu më shumë procesin e marrjes ose rinovimit të pasaportës. Sipas Departamentit të Shtetit, më 27 dhjetor tarifa për një pasaportë u rrit me $20. Kjo rritje është shuma që i shtohet tarifës aktuale të aplikimit prej $110 per pasaportën e një të rrituri dhe shumës prej $60 në rast se kërkohet proçedura e përshpejtuar. Për fëmijët nën 16 vjeç tarifa do të behet $135. Të rriturit që aplikojnë për pasaportë për herë të parë duhet të paguajnë dhe një “tarifë ekzekutimi” prej $35 për të marrë pasaportën. Aktualisht, mënyra më e mirë për të rinovuar pasaportën është me postë, mënyrë që mund të përdoret nga të gjithë ata udhëtarë që ishin të paktën 16 vjeç kur u pajisën me pasaportën më të fundit që kanë. Që të mund të rinovohet përmes postës, pasaporta nuk duhet të jetë e dëmtuar dhe duhet të jetë lëshuar gjatë 15 vjetëve të fundit. Së shpejti, udhëtarët do të mund të bëjnë rinovimin e pasaportave plotësisht përmes internetit, pasi presidenti Joe Biden nënshkroi javën e kaluar një urdhër ekzekutiv që i kërkonte qeverisë të hartonte një sistem të ri dixhital. Vënia në jetë e këtij urdhri mund të kërkojë nga gjashtë deri në 12 muaj. Rritja e çmimit vjen disa muaj pas përballjes së Departamentit të Shtetit me një akumulim të jashtëzakonshëm të çështjeve të prapambeturave, ku për procesimin dhe dërgimin me postë të aplikimeve për pasaportë duheshin deri në 18 javë (12 javë për procesimin dhe deri në 6 javë për dërgimin me postë). Sipas departamentit, ka njëfarë përmirësimi dhe tashmë nevojiten 8 deri në 11 javë për procesimin e aplikimeve dhe pesë deri në shtatë javë në rastin e proçedurave të përshpejtuara. Udhëtarët kanë gjithashtu mundësi të zgjedhin që të paguajnë shumën shtesë prej $17.56 që kthimi i pasaportës së përfunduar të bëhet për një ose dy ditë.
Ju urojmë të gjithëve Gëzuar Vitin e Ri!
Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it në adresën elektronike [email protected]