Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi:
Sot firmosa Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar, i cili orienton dhe ndihmon institucionet arsimore në zbatimin sa më efikas të politikave tona dhe krijimin e një mjedisi sa më miqësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit.
Ky udhëzim vë theksin në nevojën e përsëritjes së temave mësimore të vitit të kaluar, zbatimin me përpikmëri të planeve mësimore për çdo nivel arsimor, zbatimin e politikave dhe strategjive ndërsektoriale, marrëveshjeve, nismave, programeve e projekteve në funksion të rritjes së cilësisë në sistemin arsimor parauniversitar.
Gjithashtu, në këtë dokument udhëzohen institucionet tona mbi përfshirjen për herë të parë të gjuhës angleze në klasën e parë dhe trajnimin e mësuesve përkatës, regjistrimin me përparësi të fëmijëve me nevoja të veçanta, konsolidimin e shkollave si qendra komunitare, reduktimin e braktisjes shkollore, zbatimin e planeve për parandalimin e bullizmit dhe ekstremizmit, si dhe zbatimin e programit të ri të arteve, zejeve dhe sporteve.
Dokumenti është bashkëfirmosur edhe nga Ministrja Anila Denaj sepse përmban edhe udhëzime të posaçme për institucionet tona të arsimit profesional.
Udhëzimin e gjeni në linkun e mëposhtëm: