Nyon, 18 qershor 2024 – Federata Evropiane e Futbollit (UEFA), njoftoi më 17 qershor për procedura disiplinore dhe hetim të mëtejmë për sjelljen e tifozëve serbë gjatë ndeshjes Serbi-Angli, në kuadër të Kampionatit Evropian të Futbollit, Euro 2024.
UEFA tha se akuzat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Serbisë përfshinin hedhjen e gjësendeve dhe “transmetimin e një mesazhi provokues të papërshtatshëm për një ngjarje sportive”.
Hetimi përfshin edhe pretendimin për “sjellje diskriminuese”.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) njoftoi të hënën se ka kërkuar që UEFA të marrë masa të ashpra ndaj Serbisë për shkak të shfaqjes së flamujve e sloganeve me “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës” dhe dhe thirrjeve të tifozëve serbë kundër Kosovës e shqiptarëve, në ndeshjen midis Anglisë dhe Serbisë.
“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Shtatë tifozë të Serbisë janë dërguar në mbajtje më 16 qershor, pasi janë përfshirë në një përleshje në qytetin Gelsenkirchen, para ndeshjes së skuadrës së tyre kundër Anglisë.
UEFA tha se vendimet për të dyja rastet do të merren “në kohën e duhur”.
(r.m.)