Kiev, 8 mars 2022 – Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, tha të martën se është arritur një marrëveshje që Rusia të respektojë një armëpushim të përkohshëm dhe të lejojë civilët të evakuohen nga qyteti lindor, Sumy, ku sipas autoriteteve lokale, orë më parë një sulm ajror rus la pas vetes të paktën 21 civilë të vrarë.
Civilët në disa pjesë të Ukrainës, të rrethuara nga forcat ruse, filluan të evakuohen të martën, duke ikur me autobusë ose në këmbë.
Civilë u panë gjithashtu duke u larguar nga qyteti Irpin, afër kryeqytetit ukrainas.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se korridore shtesë evakuimi do të vendosen në Kiev, Chernihiv, Kharkiv dhe Mariupol.
Disa përpjekje të mëparshme për të krijuar rrugë që civilët të largohen nga zonat që u janë nënshtruar sulmeve gjatë agresionit gati dy-javor rus në Ukrainë, dështuan.
Zyrtarët ukrainas refuzuan të hënën planet ruse që korridoret të çojnë në evakuimin e ukrainasve në Rusi ose Bjellorusi.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba akuzoi të martën Rusinë për mbajtjen e 300,000 personave “peng në Mariupol” dhe për parandalimin e evakuimeve humanitare.
“U bëj thirrje të gjitha shteteve që të kërkojnë publikisht: Rusi, lëri njerëzit të shkojnë”, shkroi ai në Twitter.
Russia holds 300k civilians hostage in Mariupol, prevents humanitarian evacuation despite agreements with ICRC mediation. One child died of dehydration (!) yesterday! War crimes are part of Russia’s deliberate strategy. I urge all states to publicly demand: RUSSIA, LET PEOPLE GO!
— Dmytro Kuleba (@DmytroKuleba) March 8, 2022
Agjencia e OKB-së për refugjatët tha të martën se më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, që kur Rusia nisi agresionin e saj më 24 shkurt. Më shumë se gjysma kanë ikur në Poloni.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, tha se nuk ka pasur një eksod të tillë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Today the outflow of refugees from Ukraine reaches two million people.
— Filippo Grandi (@FilippoGrandi) March 8, 2022
Two million.
Sulmet ruse gjatë natës përfshinin bombardime të qyteteve në Ukrainën lindore dhe jugore dhe disa paralagje të Kievit.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha se forcat ukrainase po i rezistojnë përparimit të Rusisë drejt Kievit.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha të martën se një rezistencë e tillë dhe problemet e furnizimit, po i bëjnë forcat ruse më të dëshpëruara. Ai tha se si rezultat, Rusia po kryen “bombardime pa dallim” të civilëve.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe ministri i jashtëm rus, Sergey Lavrov, do të takohen të enjten në Turqi, për të diskutuar situatën. Ministri Kuleba tha se do të propozojë një takim të drejtpërdrejtë midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ne duam bisedime mes presidentit të Ukrainës dhe Vladimir Putinit, pasi është ai që merr vendimet përfundimtare”, tha ministri Kuleba në televizionin ukrainas.
Një seri bisedimesh të nivelit më të ulët midis palëve nuk shënuan përparime të mëdha në zgjidhjen e konfliktit, që filloi me agresionin rus në Ukrainë më 24 shkurt.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i kërkoi Rusisë të hënën t’u japë fund sulmeve ndaj civilëve.
“Sigurisht që nuk ka asnjë ndryshim në mesazhin tonë për Moskën, mesazhin tonë për Rusinë, për presidentin Putin: ndaleni luftën. Ndaleni tani”, tha sekretari Blinken.
Ai do të shkojë në Paris për bisedime të martën me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili ka folur ditët e fundit me Putinin dhe Zelenskyyn.
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden, zhvilloi një video-telefonatë të hënën me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, për të diskutuar situatën në Ukrainë.
“Udhëheqësit konfirmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar rritjen e kostove të Rusisë për agresionin e saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar në Ukrainë”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se udhëheqësit diskutuan mundësinë e ndalimit të importimit të naftës nga Rusia. Ajo tha se presidenti Biden ende nuk ka vendosur nëse do të ndërmarrë një veprim të tillë.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, u mblodh të hënën pasdite për të diskutuar situatën e përkeqësuar humanitare në Ukrainë. Nënsekretari i përgjithshëm, Martin Griffiths, bëri thirrje që civilëve në Ukrainë t’u mundësohet kalimi i sigurt “në drejtimin që ata zgjedhin”.
Një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes, u tha gazetarëve se agresioni rus në Ukrainë është ende duke ngecur në pjesë të veriut të vendit.
“Nuk po shohim shumë përparim, të paktën gjatë dy ditëve të fundit”, tha zyrtari të hënën, duke shtuar se forcat ruse “vazhdojnë të jenë të frustruara nga një rezistencë e fortë ukrainase, si dhe sfidat e tyre të brendshme”.
Megjithatë, zyrtari tha se forcat ruse po kanë më shumë sukses në Ukrainën jugore dhe vuri në dukje se Rusia është end enjë fuqi superiore.
“Nuk mendoj se duhet ta nënvlerësojmë këtë” tha zyrtari.
(Zëri i Amerikës)