Ukraina dhe Rusia këmbejnë dhjetëra të burgosur të luftës

Kiev, 4 shkurt 2023 – Dhjetëra ukrainas dhe rusë janë kthyer të shtunën nëpër shtëpitë e tyre, në kuadër të një këmbimi të të burgosurve të luftës.

Këshilltari i Presidencës ukrainase, Andriy Yermak, ka thënë në një postim në Telegram se 116 ukrainas janë liruar.

Ai ka thënë se në mesin e të burgosurve të luftës ka ushtarë nga Mariupoli, rajoni i Hersonit dhe Bahmuti.

Zyrtarë rusë të mbrojtjes kanë thënë se 63 ushtarë rusë janë kthyer nga Ukraina, pas ndërmjetësimit që kanë bërë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën nga Ministria ruse e Mbrojtjes, nuk janë dhënë hollësi shtesë për ata që janë konsideruar si “kategori speciale” e të burgosurve të luftës.

Njoftimi për këtë këmbim është bërë teksa zyrtarët rajonalë të Ukrainës kanë raportuar se një natë më parë ka pasur bombardime ruse nga rajonin Sumoj dhe afër qytezës Mahanets, në afërsi të centralit bërthamor të Zaporizhjas.

Kievi e ka akuzuar tash e sa kohë Moskën se është duke e shfrytëzuar këtë central si bazë për nisur sulme rreth lumit Dnjepër në Ukrainë.

Forcat ushtarake ruse e kanë marrë kontrollin e këtij centrali pak muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën e nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

(REL)