Prishtinë, 3 gusht 2022 – Ukraina do të fillojë tërheqjen e trupave të saj nga misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, raportoi RBK-Ukraine, një faqe lajmesh ne internet të mërkurën, duke cituar burime nga komanda ushtarake e Ukrainës.
Aktualisht 40 ushtarë të Ukrainës shërbejnë në misionin e KFOR-it prej rreth 3,800 trupash, por në muajin mars presidenti Volodymyr Zelenskyy nxori një dekret që urdhëronte të gjitha misionet të kthehen në shtëpi për të ndihmuar në luftën me Rusinë.
“Kthimi i kontingjentit kombëtar (ukrainas) do të nënkuptojë ndërprerjen e përkohshme të pjesëmarrjes së tij në misionin e KFOR-it”, citoi RBK-Ukraine komandën e ushtrisë ukrainase.
Aty thuhet se se tërheqja e trupave ukrainase nga Kosova është në përputhje me dekretin e 7 marsit të presidentit Zelenskyy që urdhëronte misionet të kthehen në shtëpi pas agresionit të Rusisë më 24 shkurt.
Zyrtarët e KFOR-it në Kosovë nuk bënë ndonjë koment.
Misioni paqeruajtës i NATO-s i vendosur në Kosovë në vitin 1999 pas fushatës 78-ditore të bombardimeve, detyroi trupat serbe t’i jepnin fund fushatës kundër shqiptarëve në Kosovën tashmë të pavarur.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga mbi 100 vende të botës, ndërsa nuk njihet nga vende të tjera përfshirë Ukrainën, pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, Rusia dhe Kina.
Qeveria në Beograd, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, e njeh tërësinë tokësore të Ukrainës dhe është bërë pjesë e tri rezolutave të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus.
Por Serbia, e cila është pothuajse plotësisht e varur nga gazi rus, është i vetmi vend në Evropë që nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
(Zëri i Amerikës)