Kiev /Moskë, 18 maj 2022 – Në Ukrainë është rritur drojtja për fatin dhe mirëqenien e më shumë se 250 ushtarëve ukrainas që u dorëzuan te forcat ruse, pas rezistencës disa javore në fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol.
Rusia tha se të paktën 256 luftëtarë ukrainas i kanë “dorëzuar armët”, përfshirë edhe 51 luftëtarë të plagosur rëndë. Ndërkaq Ukraina tha se nga “Azovstali” janë larguar 264 ushtarë, përfshirë 53 të plagosur.
Autobusët e pare me ushtarë u larguan nga fabrika në fillim të kësaj jave dhe u përcollën nga automjete të blinduara ushtarake ruse. Pesë autobusë arritën në qytetin Novoazovsk që kontrollohet nga rusët.
Shtatë autobusë tº tjerë me luftëtarë ukrainas që ishin barrikaduar në “Azovstal” kanë arritur në burgun e rihapur në Olenivka, afër Donjeckut, që kontrollohet nga rusët.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka publikuar video ku shihen luftëtarët ukrainas duke u larguar nga fabrika. Disa prej tyre barten me barela. Po ashtu, shfaqen edhe luftëtarë që dilnin nga fabrika me duart lart, ndërsa ata kontrolloheshin nga forcat.
Moska tha se luftëtarët e plagosur do të marrin trajtim mjekësor.
Teksa të dyja palët kanë folur për një marrëveshje, sipas së cilës të gjitha trupat ukrainase do të largoheshin nga Azovstali, pak detaje janë bërë publike, përfshirë edhe nëse luftëtarë të tjerë ende gjenden brenda fabrikës.
Po ashtu ende nuk dihet nëse Rusia dhe Ukraina janë marrë vesh për ndonjë formë të shkëmbimit të të burgosurve.
Kremlini tha se Putini personalisht ka garantuar se të burgosurit do të trajtohen sipas standardeve ndërkombëtare, ndërkaq zyrtarët ukrainas thanë se ata e kanë lënë të hapur mundësinë e këmbimit të pengjeve ruse.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se Kievi ka synim që të organizojë një këmbim të të burgosurve, veçmas të luftëtarëve të plagosur, sapo që kushtet të stabilizohen. Por, zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky, tha se nuk ka pasur një marrëveshje për diçka të tillë.
“Trupat në Azovstal janë dorëzuar pa kushte”, ka shkruar ai në Twitter.
Kundër këmbimit të ushtarëve janë shprehur edhe ligjvënësit rusë. Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës Ruse, Dhomës së Ulët të Parlamentit, tha se “kriminelët nazistë nuk duhet të këmbehen”.
I formuar më 2014 si milici e ekstremit të djathtë për të luftuar separatistët pro-rusë, Batalioni Azov, që ishte brenda fabrikës Azovstal, mohon se është grup fashist apo neo-nazist. Ukraina ka thënë se ky batalion është integruar brenda Gardës Kombëtare.
Beteja për Donbasin
Marrja e kontrollit të Mariupolit është fitorja më e madhe e Rusisë, qëkur Moska nisi atë që e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt.
Marrja e Mariupolit i jep Moskës kontrollin e bregdetit të Azovit, që shtrihet në lindje dhe në jug të Ukrainës. Por, ky qytet-port është shkatërruar dhe Ukraina beson se dhjetëra mijëra persona janë vrarë nga bombardimet ruse në këtë qytet.
Kremlini pretendon se të gjitha synimet e saj në lindje të Ukrainës janë përmbushur, por autoritetet ukrainase mohon se forcat ruse kanë bërë përparim.
Të mërkurën, ushtria ukrainase tha se Rusia po vazhdon të bombardojë pozicione përgjatë gjithë vijës së frontit në lindje.
“Në drejtimin e Harkivit, armiku është përqendruar që të mbajë pozicionet dhe të parandalojë përparimin e mëtejmë të trupave tanë”, tha Shtabi i Përgjithshëm ukrainas përmes një deklarate.
Para nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, separatistët pro-rusë mbanin nën kontroll një të tretën e rajonit të Donbasit, që përbëhet nga Luhansku dhe Donjecku.
Moska tani besohet se kontrollon afër 90 për qind të rajonit të Luhanskut, por ka dështuar që të marrë nën kontroll qytetet kyçe të Slovianskut dhe Kramatorskit në Donjeck.
(Sipas REL)