Beograd, 12 maj 2023 – Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha se Ukraina i është mirënjohëse Serbisë për ndihmën humanitare, por ka theksuar se vendit të tij i nevojiten armë.
“Sot është e rëndësishme çështja e mbështetjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, e cila në këtë moment kërkon jo vetëm ndihmën humanitare, por edhe dhënien e armëve dhe municioneve”, tha Tolkach, më 12 maj, në një konferencë për media, në Beograd.
Ai theksoi se mbrojtja e integritetit territorial të Ukrainës nuk mund të bëhet vetëm me ndihma humanitare.
Ambasadori Tolkach tha se lufta e popullit ukrainas nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainësn, por edhe “me të ardhmen e përbashkët evropiane”.
Ai tha gjithashtu se marrëdhëniet serbo-ukrainase, prej më shumë se një viti, zhvillohen nëhijen e luftës në Ukrainë.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ndikon në këto marrëdhënie. Në bazë të kësaj formohen marrëdhëniet mes Serbisë dhe Ukrainës”, tha Tolkach.
Agjencia Reuters raportoi më 12 prill se Serbia ka pranuar të dërgojë ose tashmë i ka dërguar armë Ukrainës. Raporti i referohet një dokumenti konfidencial të Pentagonit.
Por, zyrtarët në Serbi, përmes deklaratave të tyre, i hodhën poshtë këto pretendime.
Pas agreesioonit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt të vitit 2022, autoritetet serbe vendosën që Serbia të mos eksportonte armë tek asnjë palë në konflikt dhe të mos lejonte transportin e armëve nëpër territorin e saj.
Serbia është vend i rrallë në Evropë që refuzoi të sanksionojë Rusinë për agresionin ndaj Ukrainës. Megjithatë, ajo mbështeti disa rezoluta që e dënojnë agresionin rus në Ukrainë dhe deklaroi se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës.
(r.m.)