Kiev / Moskë, 12 gusht 2022 – Ukraina dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën të premten se po rrezikojnë të shkaktojnë një katastrofë bërthamore duke goditur centralin më të madh bërthamor në Evropë, që është nën kontrollin rus dhe ndodhet në një rajon që mund të jetë një nga frontet e ardhshme të luftës.
Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Moskës që të tërheqë trupat e saj nga centrali bërthamor i Zaporizhias, ndërsa Kombet e Bashkuara kërkuan të enjten që ai të shpallet zonë e çmilitarizuar. Por deri sot nuk ka pasur asnjë shenjë se Rusia ka rënë dakord të largojë trupat e saj nga objekti.
Termocentrali ndodhet në bregun e lumit Dnipro në Ukrainën jugore. Forcat ukrainase që kontrollojnë qytetet në bregun përballë Zhaporizhias janë nën bombardime intensive nga zonat nën kontrollin e Rusisë.
Kievi ka thënë për javë të tëra se po planifikon një kundërofensivë për të rimarrë Zaporizhian dhe rajonin fqinj Kherson, pjesa më e madhe e territorit që Rusia ka marrë nën kontroll që nga fillimi i agresionit.
Agjencia ukrainase EnergoAtom, punëtorët e së cilës mbajnë në punë termocentralin, që është nën kontrollin rus, tha se pranë objektit, përfshirë edhe pranë vendit ku ruhen materialet radioaktive, ka patur pesë shpërthime të enjten. Të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për to.
(Zëri i Amerikës)