Ukraina e shpall të jashtëligjshme partinë opozitare pro-ruse të Medvedchuk

Kiev, 20 qershor 2022 – Një gjykatë në Kiev e ka shpallur si të jashtëligjshme partinë politike pro-ruse të opozitës – (OPZZh) e udhëhequr nga politikani i burgosur pro-rus, Viktor Medvedchuk.

Ministria e Drejtësisë së Ukrainës ka lëshuar një deklaratë pas dhënies së vendimit nga Gjykata Administrative e Apelit më 20 qershor, duke thënë se të gjitha asetet dhe pronat e partisë në fjalë do t’i kalojnë Thesarit të Shtetit.

Medvedchuk u kap nga forcat ukrainase në prill pasi ai shkeli kufizimet e arrestit shtëpiak dhe u përpoq të largohej për në Rusi. Udhëheqësi i OPZZh, i cili mbronte lidhjet e ngushta me Rusinë, u arrestua vitin e kaluar me akuzën e tradhtisë dhe financimit të terrorizmit.

67-vjeçari Medvedchuk mohon akuzat dhe i quan ato të motivuara politikisht. Medvedchuk, i cili ka kaluar shpeshherë pushimet me Putinin dhe madje e ka bërë kumbarin e fëmijës së tij, është një nga individët më të pasur të Ukrainës, me një pasuri të vlerësuar në rreth 620 milionë dollarë nga Forbes, duke përfshirë asetet energjetike në Rusi.

Ukraina vendosi sanksione ndaj Medvedchuk në shkurt 2021, duke ngrirë asetet e tij dhe ndaloi transmetimin e sinjalit të tre stacioneve televizive që tha se i përkisnin atij për promovimin e propagandës ruse.

(REL)