Moskë, 13 gusht 2024 – Pothuajse e gjithë popullsia civile e qarkut të Krasnoiaruzhit në rajonin Belgorod të Rusisë është evakuuar, njoftoi të martën guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov.
Evakuimi po ndodh për shkak se forcat ukrainase janë duke çarë përpara në rajonin fqinj të Kurskit. Kievi thotë se qëllimi i tij nuk është të fitojë tokë në Rusi.
“Më shumë se 11.000 njerëz kanë ikur. Në këtë kohë, rreth 1.000 njerëz janë në strehim të përkohshëm”, tha Glakov në Telegram.
Ky qark e kishte një popullsi prej 14.000 banorësh para luftës.
Guvernatori njoftoi të hënën për evakuimin e qarkut dhe e mbylli qasjen në këtë zonë. Kryetari i qarkut, Andrei Miskoy, tha se 500 njerëzit që kanë mbetur në këtë vend janë kryesisht zyrtarë, punonjës të emergjencës dhe specialistë të rëndësishëm.
Qarku i Krasnoiaruzhit ndodhet në kufi me Ukrainën në perëndim dhe me qarkun e rajonit Kurks në veri, i cili është kapluar nga luftimet.
Forcat ukrainase e postuan një video më 12 gusht nga qendra e qytezës Sudzha në rajonin e Kurskit. Nuk dihet kur është xhiruar videoja, por ushtarët ukrainas mund të dëgjohen duke thënë se nuk e kanë takuar forca ruse në këtë pjesë.
Blogerët e ushtrisë ruse kanë thënë se Sudzha, rreth 10 kilometra larg kufirit me një popullsi të paraluftës prej rreth 5.000 banorësh, është nën kontrollin e Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të hënën se 12 dronë ukrainas u “shkatërruan” gjatë natës në rajonin e Kurskit dhe nga një dron në rajonet Belgorod dhe Voronezh.
Përgjatë kufirit në rajonin Sumi të Ukrainës, ushtria ruse kreu sulme gjatë natës, duke dëmtuar infrastrukturën civile të energjisë dhe disa vetura private, tha administrata ushtarake e këtij rajoni.
Një civil u plagos si pasojë.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës vendosi kufizim të lëvizjes për civilët në rajonin Sumi, i cili ndodhet rreth 20 kilometra larg kufirit me Rusinë, duke u thirrur në “rritjen e intensitetit të luftimeve”.
Në një komunikatë më të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Moska e ka përdorur rajonin kufitar për t’i kryer rreth 2.100 sulme ndaj rajonit Sumi të Ukrainës prej 1 korrikut.
Forcat ukrainase e filluan një inkursion befasues në rajonin e Kurskit më 6 gusht dhe i kanë kapur rreth 1.000 kilometra katror territor dhe qendra të shumta banimi.
Guvernatori në detyrë i Kurskit, Aleksei Smirnov, raportoi para presidentit rus, Vladimir Putin, më 12 gusht, se 28 vendbanime “janë nën kontrollin e armikut”.
(Radio Evropa e Lirë)