Ukraina forcon mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë

Kiev, 20 dhjetor 2022 – Ukraina po forcon mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë nga frika se Rusia mund të jetë duke përgatitur një sulm të ri, tha një zyrtar qeveritar.

Zëvendësministri i Brendshëm, Yevhen Yenin, tha për BBC-në se Ukraina do të forcojë kufirin me Bjellorusinë me forca të armatosura dhe municione.

Lajmi u bë i ditur teksa presidenti rus, Vladimir Putin, udhëtoi dje për në Minsk, për të takuar homologun e tij bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Bjellorusia ndan kufirin me Rusinë dhe Ukrainën.

Lukashenka i tha Putinit se çështjet kryesore në raportet e tyre dypalëshe së fundi kanë qenë mbrojtja dhe siguria.

“Kohërat e vështira kërkojnë që ne të kemi vullnet politik dhe të përqendrohemi në arritjen e rezultateve në të gjitha temat e agjendës dypalëshe”, tha Lukashenka gjatë takimit me Putinin, më 19 dhjetor.

Lukashenka dhe Putini kanë rënë dakord gjatë bisedimeve në Minsk që vendet e tyre do të vazhdojnë të mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe do të ruajnë bashkëpunimin ushtarak në fusha të tjera.

Rusia dhe Bjellorusia ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit “në të gjitha fushat”, tha Putini, gjatë një konference të përbashkët për media pas takimit me Lukashenkën, i cili zgjati mbi dy orë.

Kjo përfshin “masa të përbashkëta për sigurinë e dy vendeve”, trajnime të vazhdueshme të përbashkëta dhe “dërgimin e ndërsjellë të armëve”, tha Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë spekulimet se Rusia do të kërkojë nga Bjellorusia që të hyjë në luftë kundër Ukrainës.

Aktualisht, Rusia ka mijëra trupa në Bjellorusi për trajnime. Ekspertët kanë argumentuar se Moska po i përgatit trupat për një ofensivë të shkallës së gjerë në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndonëse Bjellorusia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftë, ajo lejoi trupat ruse të përdorin territorin e saj për të nisur pushtimin në shkurt.

(REL)