Kiev, 5 gusht 2023 – Një dron ukrainas i mbushur me eksplozivë goditi një cisternë ruse karburanti gjatë natës pranë një ure që lidh Rusinë me Krimenë e aneksuar, sulmi i dytë i tillë në 24 orë, thanë të shtunën të dyja palët.
Askush nuk u lëndua, por trafiku në urën e Krimesë dhe shërbimi i trageteve u pezulluan për disa orë, sipas zyrtarëve të emëruar nga Rusia në gadishullin që Moska e aneksoi në vitin 2014.
Një burim i zbulimit ukrainas i tha agjencisë Reuters se droni me 450 kg eksploziv goditi anijen SIG që transportonte karburant për ushtrinë ruse në ujërat territoriale të Ukrainës.
“Cisterna ishte e mbushur me karburant, kështu që shkëndijat u panë nga larg”, tha burimi lidhur me operacionin e përbashkët të marinës dhe shërbimit të sigurisë të Ukrainës.
Kievi thotë se shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake të Rusisë brenda Rusisë ose në territorin e kontrolluar nga Rusia në Ukrainë është pjesë thelbësore e kundërsulmit të tij.
Një tjetër sulm me dron në bazën e marinës ruse në Novorossiysk dëmtoi një anije luftarake të premten, hera e parë që marina ukrainase demonstronte forcën në një distancë të tillë nga brigjet e saj.
Cisterna SIG kishte furnizuar me naftë trupat ruse në Siri, sipas Vladimir Rogovit, një zyrtar i emëruar nga Rusia në rajonin juglindor të Ukrainës, Zaporizhzhia.
Shtetet e Bashkuara kishin vendosur sanksione ndaj cisternës dhe pronarit të saj, Transpetrochart me bazë në Shën Petersburg, në vitin 2019 si ndëshkim për furnizimin e Sirisë me karburant për avionët.
Vasyl Malyuk, kreu i shërbimit të sigurisë të Ukrainës, nuk e konfirmoi drejtpërdrejt sulmin e fundit, por tha se çdo incident me anijet ruse ose në urën e Krimesë ishte “një hap absolutisht logjik dhe efikas kundër armikut”.
“Për më tepër, operacione të tilla speciale kryhen në ujërat territoriale të Ukrainës dhe janë plotësisht të ligjshme”, tha zoti Malyuk në aplikacionin e mesazheve Telegram.
(Zëri i Amerikës)