Ukraina i çliron disa fshatra në rajonin e Hersonit

Kiev, 5 tetor 2022 – Forcat ukrainase kanë çliruar një fshat kyç në rajonin jugor të Hersonit, duke u shkaktuar forcave ruse një tjetër zmbrapsje.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka publikuar një video, në të cilën shihet brigada e 35-të duke mbajtur një flamur ukrainas në fshatin Davidiv Brid.

Ka raportime se janë çliruar edhe disa fshatra në afërsi.

Forcat ruse janë larguar javë më parë edhe nga verilindja e Ukrainës dhe tani po largohen edhe nga jugu.0

Kthimi i tyre mbrapsht është raportuar teksa presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar zyrtarisht dekretet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, ndonëse në to po zhvillohen ende luftime.

Këto aneksime janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Rusia ende kontrollon qytetin e Hersonit, kryeqytet rajonal në jug të shtetit.

Mirëpo, fuqia e ushtrisë ruse duket se është zbehur, sidomos në veri të Lumit Dnjepër.

Zelensky ka thënë se forcat ruse kanë bërë “lëvizje të shpejta dhe të fuqishme” në jug të Ukrainës dhe kanë çliruar “dhjetëra vendbanime” këtë javë.

“Flamuri ukrainas ka valuar sërish në fshatin Davidiv Brid”, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes në rrjetet sociale.

Banorët e fshatit kanë publikuar video, në të cilat shihen të pranishëm ushtarët ukrainas.

Zëvendësministri i Brendshëm ukrainas, Yevhen Enin, ka thënë se në Herson janë çliruar 50 qyteza dhe rreth 3.500 qytetarë, mirëpo nuk ka treguar se në çfarë periudhe.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë më vonë se forcat ruse janë demoralizuar dhe janë duke tentuar t’i shkatërrojnë urat, ashtu që të ndalet hovi i avancimeve ukrainase.

Një zyrtar i instaluar nga Kremlini në Herson, Kirill Stremousov, u ka thënë banorëve se “nuk ka arsye për panik’.

Ushtria ruse nuk e ka komentuar çlirimin e fshatrave nga ushtria ukrainase.

Mirëpo, në një hartë të ilustruar me rajonet që kontrollon Rusia, fshatrat rreth Lumit Dnjepër nuk shihen më aty.

Forcat ukrainase kanë shënjestruar linjat ruse të furnizimit në Herson për javë të tëra, duke shkatërruar disa ura afër lumit. Mirëpo, avancimi i tyre në jug ka qenë i ngadalshëm deri më tani.

(REL)