Kiev, 1 mars 2023 – Kievi ka thënë se Ukraina u ka “mbijetuar” sulmeve të ashpra ruse në infrastrukturën kritike shtetërore përgjatë muajve të dimrit.
Prej muajit tetor, Rusia e ka goditur infrastrukturën energjetike të Ukrainës me raketa dhe dronë, duke i lënë miliona njerëz pa ujë, ngrohje dhe energji.
“Më 1 mars 2023 [presidenti rus, Vladimir] Putin është përballur me humbjen e pestë të madhe prej nisjes së luftës – Ukraina e ka tejkaluar këtë dimër të tmerrshëm”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
“Ne i kemi mbijetuar dimrit më të vështirë në histori. Ka qenë i ftohtë dhe i zymtë, por ne kemi qenë të pathyeshëm”.
Kuleba ka thënë se humbjet tjera të Moskës përfshijnë edhe dështimin e Rusisë që të instalojë frikën në mesin e ukrainasve, pamundësia për ta pushtuar Kievin, si dhe përballja me disa valë të sanksioneve të Perëndimit.
Organizatat për ndihmë kanë paralajmëruar në fillim të dimrit se valët e reja të sulmeve do të mund të nxisnin migrim në Evropë dhe se prioriteti i Ukrainës është “mbijetesa” në muajt e ftohtë të vitit.
Kremlini ka thënë se Kievi është përgjegjës për vuajtjet e civilëve, sepse ka refuzuar të pranojë kërkesat e Moskës.
Lufta në Ukrainë ka rezultuar me zvogëlimin e varësisë së Evropës ndaj naftës dhe gazit rus, si dhe me sanksione ndaj Moskës, ashtu që kjo e fundit të ketë sa më pak të hyra për të shpenzuar në ushtri.
“Edhe Bashkimi Evropian ka fituar, për dallim nga talljet e Moskës, blloku nuk është ngrirë pa gazin rus. Një këshillë për Rusinë: mbytuni me gazin dhe raketat tuaja”, ka thënë Kuleba përmes një deklarate.
(REL)