Moskë, 29 korrik 2024 – Ukraina kreu një valë sulmesh me dronë thellë brenda territorit të Rusisë mëngjesin e së hënës, duke i dëmtuar objektet e infrastrukturës në dy rajone, thanë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe zyrtarët rajonalë.
Një ditë më parë, një sulm i raportuar ukrainas shkaktoi zjarr në një rafineri nafte në Rusi.
Në rajonin perëndimor të Rusisë, Oryol, një termocentral u dëmtua pasi u godit nga copëzat e dy dronëve të rrëzuar ukrainas mbi qarkun Glazunovski, tha guvernatori rajonal Andrey Klychkov, në Telegram.
“Shërbimet emergjente janë duke u marrë me pasojat e sulmit ajror, ndërsa agjencitë për sundim të ligjit janë në vendin e ngjarjes”, shkroi Klychkov, pa shpjeguar se çfarë dëmesh ka pësuar termocentrali.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore i shkatërroi 39 dronë ukrainas, prej të cilëve: 19 mbi rajonin Kurks, 9 në Belgorod, 3 në Voronezh, 5 në Bryansk dhe 3 mbi rajonin Leningard.
Pretendimet e Rusisë nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Kjo është dita e dytë radhazi që sulmet e raportuara ukrainase shkaktojnë dëme në objektet e infrastrukturës ruse.
Më 28 korrik, u raportua se dronët e ushtrisë ukrainase goditën një depo nafte në rajonin Kurks. Video të postuara online shfaqën një zjarr të madh në të. Guvernatori rajonal, Aleksei Smirnov, tha se tri cisterna nafte u përfshinë nga zjarri si pasojë e sulmeve me dronë.
Prej se e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 2022, Moska vazhdimisht dhe sistematikisht i ka goditur objektet infrastrukturore dhe civile në Ukrainë, duke shkaktuar viktima dhe dëme.
Si përgjigje, Ukraina ka filluar t’i godasë objektet e rafinerisë së naftës dhe infrastrukturën energjetike brenda Rusisë, të cilat kryesisht punojnë për ushtrinë ruse.
Më 27 korrik, Ukrayinska Pravda raportoi se dronët ukrainas goditën një rafineri nafte në rajonin Riazan të Rusisë.
Ndërkohë, Rusia kreu sulme në qytetet jugore të Ukrainës, Herson dhe Nikopol, mëngjesin e së hënës, duke i plagosur 20 persona, përfshirë pesë fëmijë, thanë zyrtarët rajonalë dhe lokalë.
Kundërajrorët ukrainas i rrëzuan një raketë dhe nëntë dronë rusë mbi rajonet e saj të hënën, tha komandanti i Forcës Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk.
Bombardimet e vazhdueshme i kanë detyruar qindra civilë të ikin nga kjo zonë, thanë zyrtarët lokalë për Radion Evropa e Lirë.
(Radio Evropa e Lirë)