Ukraina kërkon armëpushim për sanimin e rrjetit elektrik në Çernobil

Kiev, 9 mars 2022 – Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka bërë thirrje Rusisë që të pajtohet për armëpushim, në mënyrë që të kryhen riparime në centralin bërthamor të Çernobilit, vendi ku ka ndodhur katastrofa më e madhe bërthamore.

Ky central është shkëputur plotësisht nga rrjeti elektrik dhe ka shqetësime për rrjedhje të rrezatimit.

Kompania ukrainase e Energjisë, Ukrenergo, ka thënë më 9 mars se rryma është ndalur në central për shkak të një ndërprerjeje të linjës elektrike që lidh centralin bërthamor të Çernobilit me furnizuesin e energjisë elektrike në Kiev.

Kjo ndërprerje rrezikon rreth 20 tonë mbetje që duhet të ftohen vazhdimisht për të parandaluar rrjedhjet që potencialisht mund të rrezikojnë “Ukrainën, Bjellorusinë, Rusinë dhe Evropën”.

“E gjithë linja e furnizimit në centralin bërthamor të Çernobilit dhe objektet bërthamore, të kontrolluara nga ushtria ruse, janë dëmtuar”, ka thënë Kuleba në Twitter.

“Çernobili është pa rrymë. I bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar që t’i kërkojnë Rusisë armëpushim të menjëhershëm dhe të mundësojnë riparimet sa më shpejt që është e mundur”, duke theksuar se gjeneratorët kanë kapacitet të ftohjes për 48 orë, dhe më pas sistemet mund t’i bëjnë rrjedhjet e rrezatimit “të pashmangshme”.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, forcat ruse kanë marrë kontrollin e Çernobilit.

Prej atëherë, 210 punëtorë ukrainas kanë punuar në centralin bërthamor pa u ndërruar me punëtorë tjerë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka thënë më 8 mars se Ukraina e ka informuar atë për nevojën urgjente të ndërrimit të personelit në central.

Reaktori i katërt në Çernobil ka shpërthyer në prill të vitit 1986, gjatë kryerjeve së testimeve, duke përhapur retë e rrezatimit në një pjesë të Evropës.

Javën e kaluar, më 4 mars, forcat ruse kanë marrë kontrollin e centralit tjetër bërthamor në Zaporizhja.

Ai central është më i madhi në Evropë dhe prodhon rrymë për më shumë se një të pestën e kërkesave të brendshme të Ukrainës.

(REL)