Ukraina kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse, ndërsa delegacioni i saj mbërriti të hënën për bisedime me Rusinë.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i kërkoi Bashkimit Evropian që t’i japë vendit të tij anëtarësimin e menjëhershëm në bllok.
Negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë filluan në kufirin Ukrainë-Bjellorusi. Zyra e zotit Zelenski tha se në delegacionin ukrainas merr pjesë Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov dhe këshilltari presidencial Mikhailo Podoliak.
Presidenti Zelenski kërkoi një anëtarësim të shpejtë në BE në një video-mesazh përmes së cilit ai gjithashtu u bëri thirrje trupave ruse të dorëzonin armët.
“Qëllimi ynë është të jemi së bashku me të gjithë evropianët dhe më e rëndësishmja, të jemi në një pozitë të barabartë,” tha ai. “Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se është e mundur.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kishte patur një telefonatë me udhëheqësin ukrainas dhe se “e vlerësoi atë për guximin e popullit dhe forcave të armatosura të Ukrainës”.
“Aleatët e NATO-s po rrisin mbështetjen me raketa mbrojtjeje ajrore, armë antitank, si dhe ndihmë humanitare dhe financiare,” shkruante zoti Stoltenberg në Twitter.
Rusia u përball me presion të shtuar diplomatik dhe ekonomik të hënën, ditën e pestë të fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.
Ministria britanike e mbrojtjes tha të hënën se trupat ruse vazhdonin të ishin mbi 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se “dështimet logjistike dhe rezistenca e fortë ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin rus”.
Ky vlerësim përputhet me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën, se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti. (VOA)