Ukraina kërkon të bisedojë me Rusinë për grumbullimin e forcave ushtarake

Kiev, 14 shkurt 2022 – Ukraina ka kërkuar një takim urgjent me Rusinë dhe dhjetëra shtete evropiane, për të marrë një shpjegim lidhur me grumbullimin e forcave ruse në kufi me Ukrainën.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka injoruar kërkesën zyrtare të Kievit për shpjegim pse Moska ka pozicionuar mbi 100,000 trupa dhe armë të avancuara përreth Ukrainës.

“Ukraina po thërret një takim me Rusinë dhe të gjitha shtetet anëtare në 48 orët e ardhshme për të diskutuar për lëvizjet e trupave ruse përgjatë kufirit tonë”, tha ai të dielën, më 13 shkurt.

Ukraina e ka bërë këtë kërkesë përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, pjesë e së cilës është edhe Rusia.

Sipas Dokumentit të Vjenës më 1990 kërkon që 57 anëtarët e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për të ndarë informacione lidhur me forcat ushtarake të tyre dhe të njoftojnë njëri-tjetrin për aktivitete të mëdha.

“Nëse Rusia është serioze kur flet për sigurinë në hapësirën e OSBE-së, ajo duhet të përmbushë angazhimin e saj për transparencën ushtarake në mënyrë që të ulë tensionet dhe të rrisë sigurinë për të gjithë”, tha Kuleba.

Ende nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga Moska për kërkesën e Kulebas.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur frikën se grumbullimi i trupave ruse mund të çojë në pushtimin e Ukrainës. Uashingtoni ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë në “çdo moment”.

Rusia ka grumbulluar mbi 130,000 trupa në afërsi të kufijve të Ukrainës. Moska ka hedhur poshtë se ka plane që ta pushtojë Ukrainën.

(REL)