Ukraina kryen sulmin më madh me dronë ndaj Moskës

Moskë, 10 nëntor 2024 – Ukraina e sulmoi Moskën të dielën me të paktën 34 dronë. Ky është sulmi më i madh i këtij lloji ndaj kryeqytetit rus që nga fillimi i luftës në vitin 2022.

Sulmi shkaktoi një të plagosur dhe shkaktoi ndërprerjen e fluturimeve në tri aeroportet kryesore të Moskës.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore i shkatërroi të dielën 36 dronë mbi rajone të tjera në pjesën perëndimore të Rusisë, gjatë valës së sulmeve që zgjatën tri orë.

“Një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer sulm terrorist duke përdorur një dron të tipit aeroplan në territorin e Federatës Ruse u pengua”, tha ministria.

Agjencia federale e transportit ajror të Rusisë tha se aeroportet Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky i anuluan të paktën 36 fluturime, por më pas aeroportet rifilluan funksionimin.

Ndërkohë Ukraina njoftoi se Rusia lëshoi numër rekord dronësh, më se 145 sish, gjatë natës së kaluar. Kievi tha se mbrojtja ajrore ukrainase i rrëzoi 62 prej këtyre dronëve.

 Ukraina tha gjithashtu se e sulmoi një depo armësh në rajonin Bryansk të Rusisë, ndëtsa Moska tha se në këtë rajomn i ka rrëzuar 14 dronë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në atë që disa zyrtarë thonë se mund të jetë akti i saj përfundimtar pasi forcat e Moskës përparuan me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të luftës, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të kenë një president të ri në janar të vitit që vjen.

Republikani Donald Trump, i cili do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, ka thënë gjatë fushatës së tij se ai mund të sjellë paqen në Ukrainë brenda 24 orësh, por nuk ka dhënë detaje se si mund ta realizonte këtë objektiv.

Sidoqoftë, Moska ka thënë se është e gatshme të dëgjojë planin amerikan për t’i dhënë fund konfliktit.

Sipas njoftimeve të medias, kur Presidenti Volodymyr Zelenskiy i telefonoi zotit Trump për ta uruar për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale, në telefon me presidentin e zgjedhur ishte edhe shefi i firmës Tesla, Elon Musk. Zoti Musk zotëron gjithashtu firmën SpaceX, e cila ofron shërbime të komunikimit satelitor Starlink që janë jetike në përpjekjet e Ukrainës për mbrojtjen e vendit.

(r.m.)